Paketa Fiskale 2027. Çfarë propozohet për biznesin, nga TVSH-ja te gjobat

Duar duke numëruar grumbuj monedhash në rritje mbi një tavolinë, simbol i ndryshimeve tatimore të paketës fiskale 2027

Përditësim, 30 tetor 2026

Pragu i TVSH-së nuk është më propozim. Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 28.10.2026, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 233 të datës 29 tetor 2026, kufiri minimal i regjistrimit ulet në 5,000,000 lekë nga 1 janari 2027. Ky zë nuk pret Kuvendin, sepse neni 117 i ligjit nr. 92/2014 ia delegon pragun Këshillit të Ministrave. Të gjitha zërat e tjerë, tatimi mbi fitimin, dividendi, norma standarde, akomodimi dhe fashat e pagës, mbeten projektligj. Udhëzuesi i plotë për pragun e ri.

Pikat kryesore
  • Tatimi mbi fitimin e shoqërive mbetet 15%. Projektligji i depozituar në Kuvend nuk e prek. Tatimi mbi dividentin propozohet të rritet nga 8% në 15%. Personi fizik tregtar nuk preket.
  • Pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH është vendosur të zbresë nga 10,000,000 në 5,000,000 lekë qarkullim vjetor, me VKM nr. 822, datë 28.10.2026, me efekt nga 1 janari 2027.
  • 14 kategori ushqimesh bazë mund të marrin TVSH vetëm 6%, ndërsa norma standarde mund të rritet nga 20% në 21%.
  • Brezi me normë 13% zgjerohet deri në 300,000 lekë në muaj dhe shtohet një brez i ri me normë 30% mbi 700,000 lekë. Deri rreth 843,000 lekë pagë bruto, tatimi bie.
  • Taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër hiqet nga karburanti, ndërsa tarifa fikse e taksës vjetore të mjetit dyfishohet.
  • Propozohen edhe gjoba e procedura të reja, mes tyre gjoba 10% e vlerës te pagesat me para në dorë ndaj konsumatorit, dhe trajtimi i kësteve të papaguara si detyrim tatimor.
Verifikuar më 11 nëntor 2026. U lexuan katër projektligjet e depozituara në Kuvend, relacionet e tyre dhe raportet e Komisionit për Çështjet Ligjore, datë 2.11.2026. Teksti i tatimit mbi të ardhurat nuk e prek tatimin mbi fitimin dhe e vendos brezin e ri të pagës në 30%. Ai nuk ka dispozitë për sponsorizimet dhe as dispozitë kalimtare për dividendin. Pjesa për gjobat dhe procedurat mbështetet ende te raportimet mbi draftet. Asnjë tekst nuk është ende ligj dhe mund të ndryshojë para votimit në Kuvend. Kuvendi i Shqipërisë

Tri ndryshime prekin drejtpërdrejt biznesin. Tatimi mbi dividentin propozohet të rritet nga 8% në 15%. TVSH-ja standarde nga 20% në 21%. Dhe pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH zbret nga 10,000,000 në 5,000,000 lekë qarkullim vjetor. Ky i fundit nuk është më propozim, ai u vendos me VKM nr. 822, datë 28.10.2026.

Dy të tjera lehtësojnë. Katërmbëdhjetë kategori ushqimesh bazë kalojnë te TVSH 6%, nga 20% sot. Dhe paga nën rreth 843,000 lekë bruto në muaj tatohet më pak se sot. Nëse projektligjet votohen, të gjitha nisin më 1 janar 2027.

Bizneset shpesh presin tekstin final për t’u informuar dhe kështu humbasin kohën që u duhet për t’u përgatitur. Ne i lexuam vetë tekstet e projektligjeve dhe relacionin zyrtar, jo raportime të treta, që të keni shifrat e sakta që sot, me efektin konkret për biznesin, dividentin dhe pagën tuaj.

Deri më 11 nëntor 2026, projektligjet janë depozituar në Kuvend bashkë me projektbuxhetin 2027. Komisioni për Çështjet Ligjore i miratoi në parim më 2 nëntor, si komision për dhënie mendimi. Asnjëri nuk është ende ligj dhe mund të ndryshojë para votimit final. Pikat më poshtë ju tregojnë çfarë ndodh dhe sa ju kushton apo ju lehtëson, në lekë.

Lexo edhe: Legjislacioni tatimor

Lexo edhe: Kontabiliteti i prodhimit të vogël, agro dhe fasonerisë, ku norma 6% për ushqimet bazë prek drejtpërdrejt prodhuesin.

Lexo edhe: Efektet e Paketës Fiskale 2027 sipas llojit të biznesit, tre pyetje dhe llogaritësi, Projektligjet e Paketës Fiskale 2027, nen për nen me dokumentet e Kuvendit

Ecuria e paketës. Ku ndodhet sot, hap pas hapi

Një akt nuk bëhet ligj përnjëherë. Ai kalon nga stacioni në stacion, dhe te secili mund të ndryshojë ose të ndalet. Shumica e lajmeve ju tregojnë çfarë propozohet, pak ju tregojnë ku ka arritur. Këtu e mbani të dyja.

DataÇfarë ndodhiStacioni
26 tetor 2026Relacioni i projektligjeve bëhet publik, me efektet e llogaritura për buxhetinPërgatitja
27 tetor 2026Shoqatat e biznesit kërkojnë pezullim, me kosto rreth 85,000,000 euro në vitReagimi i biznesit
28 tetor 2026Prezantimi publik. Thuhet se tatimi mbi fitimin nuk rritet dhe se dividendi kalon te 15%Prezantimi
28 tetor 2026Këshilli i Ministrave miraton VKM nr. 822 për pragun e TVSH-sëKëshilli i Ministrave
29 tetor 2026VKM nr. 822 botohet te Fletorja Zyrtare nr. 233, faqja 24117. Pragu është i vendosurFletorja Zyrtare
2 nëntor 2026Nis shqyrtimi i projektbuxhetit 2027 dhe i paketës fiskale te komisionet parlamentareKuvendi, komisionet
2 nëntor 2026Komisioni për Çështjet Ligjore i miraton në parim projektligjet, si komision për dhënie mendimiKuvendi, komisionet
11 nëntor 2026Lexuam tekstet e depozituara. Tatimi mbi fitimin nuk preket, brezi i ri i pagës është 30% dhe sponsorizimet nuk janë te tekstiNë pritje të komisionit përgjegjës

Shoqatat që kërkuan pezullimin më 27 tetor janë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Pro Export Albania dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë. Shifra prej rreth 85,000,000 eurosh është llogaritur prej tyre, jo nga relacioni zyrtar.

Paketa ecën me dy shpejtësi, dhe kjo ndryshon çfarë duhet të bëni

Pragu i TVSH-së e ka mbaruar rrugën. Ai nuk pret Kuvendin, sepse neni 117, pika 2, i ligjit nr. 92/2014 ia delegon atë Këshillit të Ministrave dhe ligji vetë nuk mban asnjë shifër. Vendimi është marrë, botuar dhe hyn në fuqi me efekte nga 1 janari 2027. Për këtë pjesë nuk ka më asgjë për të pritur.

Gjithçka tjetër është te stacioni i tretë nga gjashtë. Normat e TVSH-së, dividendi, fashat e pagës, akomodimi, akciza dhe taksa e mjeteve presin votimin. Ato kanë kaluar përgatitjen, prezantimin dhe hyrjen në komisione. U mbeten edhe tri stacione: seanca plenare, dekreti i Presidentit dhe botimi.

Çfarë vjen dhe kur

Votimi në seancë plenare pritet brenda nëntorit 2026. Deri atëherë teksti mund të ndryshojë, dhe ka ndryshuar tashmë një herë mes versionit që qarkullon dhe asaj që u tha në prezantim.

Dekreti i Presidentit dhe botimi në Fletoren Zyrtare vijnë pas votimit. Këtu ka një hollësi që pak e presin. Ne i kemi matur vonesat e botimit për ligjet e vitit 2026 dhe ato shkojnë nga tre ditë deri në dhjetë javë. Ligji nr. 61/2026 u botua tri ditë pas miratimit, ndërsa ligji nr. 60/2026 u botua dhjetë javë pas tij. Pra është plotësisht e mundur që ligji të votohet në dhjetor dhe të botohet pas 1 janarit, ndërsa efektet e tij nisin nga 1 janari.

Efektet nga 1 janari 2027, sipas tekstit të projektligjit. Kjo do të thotë se vendimet tuaja për dhjetorin, sidomos ato për shpërndarjen e fitimit dhe për regjistrimin në TVSH, merren pa e ditur me siguri tekstin përfundimtar. Prandaj ia vlen të planifikoni me të dy skenarët.

Këtë tabelë e përditësojmë sa herë paketa lëviz një stacion. Data e fundit e kontrollit është 11 nëntor 2026.

Çfarë propozohet për tatimin mbi fitimin dhe dividentin

Këtu ndryshon dividendi, jo tatimi mbi fitimin.

E para, tatimi mbi fitimin e shoqërive tregtare, pra shpk dhe sha, mbetet 15%. Drafti i parë, ai i 26 tetorit, propozonte rritjen në 17%, por qeveria e tërhoqi atë rritje kur e prezantoi paketën më 28 tetor.

Teksti i depozituar në Kuvend e mbyll këtë pikë. Projektligji për tatimin mbi të ardhurat ka 8 nene dhe asnjëri nuk e prek normën e tatimit mbi fitimin. Pra shifra 15% nuk mbështetet më vetëm te një deklaratë, por te vetë teksti. Ajo bëhet përfundimtare kur projektligji të votohet dhe të botohet në Fletoren Zyrtare.

E dyta, tatimi mbi dividentin rritet nga 8% në 15%. Ai llogaritet mbi shumën bruto që shpërndahet, pa u zbritur asnjë kosto.

E treta, dhe kjo pjesë përmendet rrallë. Projektligji zgjeron vetë përkufizimin e dividendit. Paradhëniet, huatë dhe format e tjera të financimit që shoqëria u jep ortakëve do të trajtohen si dividend kur nuk përfaqësojnë transaksion real ose shlyerje detyrimi, pra kur sipas përmbajtjes së tyre ekonomike janë shpërndarje e tërthortë e fitimit. Kjo nuk do të thotë se çdo hua e ortakut tatohet. Do të thotë se huaja pa përmbajtje reale rikualifikohet si dividend.

Lexo edhe: Hua e ortakut dhe tërheqjet nga llogaria, kur tatohen si dividend.

Ky zë ndodhet te neni 1 i projektligjit të depozituar, që shton një shkronjë të re te përkufizimi i dividendit. Ai mbetet propozim derisa të votohet.

Personi fizik tregtar nuk preket. Tatimin mbi fitimin ai e ka të rregulluar nga një nen tjetër i ligjit, të cilin ky projektligj nuk e ndryshon.

Sipas relacionit të projektligjit, rritja e tatimit mbi dividendin pritet të sjellë rreth 3.04 miliardë lekë në vit për buxhetin.

TatimiNorma aktualePropozimi
Tatimi mbi fitimin15%15%, pa ndryshim
Tatimi mbi dividentin8%15%

Për një shoqëri me fitim para tatimit 1,000,000 lekë, tatimi në nivel biznesi nuk ndryshon, mbetet 150,000 lekë. Barra e re shfaqet vetëm kur ortakët tërheqin dividentin, nga 68,000 lekë sot në 127,500 lekë, pra 59,500 lekë më shumë.

Projektligji sjell edhe një ndryshim që lehtëson, jo vetëm ato që rëndojnë. Shtohet një përjashtim i ri nga tatimi mbi të ardhurat personale për personat e verbër, invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë, personat me surdomutizëm dhe invalidët e punës.

Çfarë propozohet për TVSH-në

Pragu i ri i regjistrimit në TVSH

Ky zë nuk është më propozim. Ai u vendos me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 28.10.2026, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 233 të datës 29 tetor 2026, dhe e zbret pragun e regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10,000,000 lekë në 5,000,000 lekë qarkullim vjetor, me efekte nga 1 janari 2027. Ndryshe nga zërat e tjerë të paketës, ai nuk pret Kuvendin, sepse neni 117 i ligjit nr. 92/2014 ia delegon pragun Këshillit të Ministrave. Sipas relacionit zyrtar të Ministrisë së Financave, datë 26 tetor 2026, kjo do të sillte 17,516 biznese të reja brenda sistemit të TVSH-së dhe rreth 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit për buxhetin.

Po sipas relacionit, pragu aktual shqiptar prej 10,000,000 lekë, rreth 108,696 euro, është më i larti në rajon dhe e kalon tavanin e vetë direktivës së Bashkimit Evropian, 85,000 euro. Krahasimisht, Italia aplikon po 85,000 euro, Greqia vetëm 10,000 euro, Kosova dhe Mali i Zi nga 30,000 euro secili. Bizneset e reja do të paguajnë normën standarde prej 21%, përveç rasteve kur përfitojnë normë të reduktuar.

Normat e TVSH-së, çfarë rritet dhe çfarë zbret

Norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%. Norma e reduktuar për akomodimin në strukturat akomoduese, pra hotele, bujtina dhe resorte, propozohet të rritet nga 6% në 10%. E njëjta rritje vlen për shërbimet brenda hoteleve me pesë yje me status special. Projektligji nuk e prek pikën e agroturizmit, prandaj agroturizmi i certifikuar mbetet me 6%.

Në të kundërt, projektligji shton një normë të re prej 6% për 14 kategori ushqimesh bazë, që sot paguajnë 20%: bukë dhe miell, qumësht dhe kos natyral, vezë, oriz, makarona, vaj ushqimor, mish pule, mish viçi ose derri, peshk bazë, fruta të freskëta, perime të freskëta, bishtajore, sheqer, dhe ushqime bazë për foshnja. Lista e detajuar e produkteve brenda secilës kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 15 janarit 2027.

Çfarë propozohet për tatimin mbi pagën e punonjësve

Sot, paga bruto tatohet me 13% deri në 200,000 lekë në muaj, dhe me 23% mbi këtë shifër, pasi llogaritet një zbritje fikse vjetore prej 360,000 lekë nga baza e tatueshme. Kjo zbritje mbetet e njëjtë edhe te projektligji, në të dy rastet ligji e shpreh zyrtarisht në bazë vjetore dhe ne e kthejmë këtu në shifra mujore, për lehtësi leximi.

Ndryshimi real është te vetë brezat. Brezi me normë 13% zgjerohet deri në 300,000 lekë në muaj, nga 200,000 lekë sot. Shtohet edhe një brez i ri me normë 30% për pjesën e pagës mbi 700,000 lekë në muaj, brez që sot nuk ekziston. Drafti i parë e kishte këtë brez 32%. Teksti i depozituar në Kuvend e shkruan 30%, te neni 3 i projektligjit. Pragjet 300,000 dhe 700,000 lekë nuk ndryshojnë mes dy versioneve. Teksti i projektligjit i shkruan si 3,240,000 dhe 8,040,000 lekë në vit mbi bazën e tatueshme, çka jep pikërisht 300,000 dhe 700,000 lekë pagë bruto në muaj pas zbritjes personale.

Shembull llogaritjeje për paga të ndryshme

Paga bruto në muajTatimi sotTatimi sipas propozimit
300,000 lekë45,100 lekë35,100 lekë
500,000 lekë91,100 lekë81,100 lekë
700,000 lekë137,100 lekë127,100 lekë
1,000,000 lekë206,100 lekë217,100 lekë

Punonjësit me pagë deri rreth 843,000 lekë në muaj paguajnë më pak tatim sipas propozimit. Mbi atë shifër, tatimi rezulton më i lartë se sot, për shkak të brezit të ri prej 30%.

Lexo edhe: Paga neto në bruto, për efektin e fashave te paga bruto që duhet shkruar në kontratë.

Si ndikon në praktikë një biznes apo punonjës konkret

Shifrat më sipër marrin kuptim të plotë kur shihen te një profil i afërt me realitetin tuaj. Më poshtë janë katër raste të thjeshta, me shifra të rrumbullakosura, që tregojnë edhe anën që lehtëson edhe atë që rëndon.

Nëse keni një biznes tregtar me qarkullim deri 10,000,000 lekë në vit

Sot, nëse qarkullimi juaj vjetor është nën 10,000,000 lekë, nuk jeni i regjistruar në TVSH. Blini dhe shisni pa llogaritur TVSH.

Nga 1 janari 2027, pragu zbret në 5,000,000 lekë. Nëse qarkullimi juaj është midis 5,000,000 dhe 10,000,000 lekë, do të duhet të regjistroheni.

Ta sjellim në shifra, me supozime të thjeshta për ilustrim. Marrim një dyqan ushqimor me qarkullim vjetor 7,000,000 lekë, brenda intervalit të ri, dhe blerje vjetore malli prej 4,500,000 lekë, kryesisht nga 14 kategoritë bazë me TVSH 6%.

TreguesiSot, pa regjistrimMe propozimin
TVSH mbi shitjet, 6%Nuk llogaritet420,000 lekë
TVSH e zbritshme mbi blerjet, 6%Jo e zbritshme, bëhet kosto270,000 lekë
TVSH neto për buxhetin0 lekë150,000 lekë në vit

Regjistrimi sjell edhe punë administrative shtesë, fatura tatimore, regjistra dhe deklarim çdo muaj, çka zakonisht rrit koston e shërbimit kontabël me disa mijëra lekë në muaj. Për shumicën e produkteve ushqimore bazë, norma prej 6% mbetet e ulët, kështu që efekti te çmimi final për klientin pritet i vogël.

Nëse keni një shoqëri me fitim vjetor dhe tërhiqni dividend

Marrim shembullin e një shoqërie me fitim vjetor 2,000,000 lekë para tatimit, që ia jep ortakut gjithë pjesën e mbetur si dividend.

TreguesiSotMe propozimin
Fitimi para tatimit2,000,000 lekë2,000,000 lekë
Tatimi mbi fitimin300,000 lekë, 15%300,000 lekë, 15%
Dividend i mundshëm1,700,000 lekë1,700,000 lekë
Tatimi mbi dividentin136,000 lekë, 8%255,000 lekë, 15%
Tatimi gjithsej436,000 lekë555,000 lekë
Në dorë, neto1,564,000 lekë1,445,000 lekë

Nga i njëjti fitim prej 2,000,000 lekë, merrni në dorë 119,000 lekë më pak se sot. E gjithë diferenca vjen nga tatimi mbi dividentin, sepse tatimi mbi fitimin nuk ndryshon.

Nëse jeni i punësuar ose punësoni dikë me pagë mujore bruto

Një kujdes i rëndësishëm. Shifrat te paketa fiskale flasin gjithmonë për pagën bruto, pra atë para zbritjes së kontributeve dhe tatimit, jo për pagën që merrni në dorë. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk preken nga ky propozim. Prandaj ndryshimi te paga juaj neto është saktësisht i njëjti me ndryshimin te tatimi llogaritur më poshtë.

Paga bruto në muajTatimi sotTatimi sipas propozimit
400,000 lekë68,100 lekë58,100 lekë
900,000 lekë183,100 lekë187,100 lekë

Me pagë bruto 400,000 lekë në muaj, tatimi bie me rreth 10,000 lekë çdo muaj, që shkojnë direkt te paga juaj neto. Me pagë bruto 900,000 lekë në muaj, tatimi rritet me rreth 4,000 lekë çdo muaj.

Pika e ndarjes mes të dyjave është rreth 843,000 lekë bruto në muaj. Nën atë shifër paga neto rritet pak, mbi të zvogëlohet pak. Askush me pagë nën këtë prag nuk ka arsye shqetësimi, përkundrazi.

Nëse keni disa punonjës me paga të ndryshme

Shumica e bizneseve tona kanë disa punonjës, jo vetëm një, prandaj efekti real varet nga e gjithë struktura e pagave, jo nga një pagë e vetme. Marrim një ekip me 5 punonjës, me paga bruto mujore nga 80,000 deri 900,000 lekë.

PunonjësiPaga brutoTatimi sotTatimi me propozimin
Punonjësi 180,000 lekë6,500 lekë6,500 lekë
Punonjësi 2150,000 lekë15,600 lekë15,600 lekë
Punonjësi 3250,000 lekë33,600 lekë28,600 lekë
Menaxheri400,000 lekë68,100 lekë58,100 lekë
Drejtori900,000 lekë183,100 lekë187,100 lekë
Totali1,780,000 lekë306,900 lekë295,900 lekë

Për këtë ekip, fatura mujore e tatimit mbi pagat bie gjithsej me 11,000 lekë, edhe pse drejtori, me pagën më të lartë, paguan 4,000 lekë më shumë. Rënia te punonjësi me pagë 250,000 lekë dhe te menaxheri me 400,000 lekë e tejkalon rritjen te drejtori. Efekti real për biznesin varet pikërisht nga kjo strukturë, jo nga një pagë e vetme.

Çfarë propozohet te gjobat, këstet dhe procedurat

Normat janë pjesa që lexohet më shumë, por paketa prek edhe mënyrën si kontrollohet dhe si ndëshkohet biznesi. Për një biznes të vogël këto zëra shpesh peshojnë më shumë se një pikë përqindjeje, sepse nuk varen nga fitimi por nga mënyra e përditshme e punës.

Nga vjen kjo pjesë. Seksionet më sipër ndërtohen mbi tekstet e depozituara në Kuvend, që i lexuam vetë. Gjobat, këstet dhe kontrolli në këtë seksion mbështeten ende te raportimet mbi draftet e 27 tetorit, sepse teksti i depozituar për to nuk është ndër ato që kemi lexuar. Pasqyrat financiare, akciza dhe taksa e mjeteve janë verifikuar te tekstet e depozituara.
ZëriÇfarë propozohet
Pagesat me para në dorëGjoba 10% e vlerës së transaksionit, kur tejkalohen kufijtë ligjorë, shtrihet edhe te shitja ndaj konsumatorit. Sot ajo zbatohet vetëm mes tatimpaguesve.
Dokumentacioni i çmimeve të transferimitGjobë 100,000 deri 150,000 lekë kur nuk dorëzohet brenda afatit.
Këstet paraprake të papaguaraKamatëvonesa mbetet 0.06% në ditë, por vetë kësti i papaguar trajtohet si detyrim tatimor i papaguar, çka hap procedurat e mbledhjes me forcë.
Kontrolli para çregjistrimitMund të kryhet pa njoftimin paraprak të zakonshëm, me afat maksimal 30 ditë pune.
Pasqyrat financiareDorëzohen vetëm në QKB, duke nisur nga pasqyrat e vitit 2027. Pasqyrat e vitit 2026 dorëzohen ende në të dy institucionet.

Zëri i parë është ai që prek më shumë biznese. Sot gjoba për pagesat me para në dorë mbi kufirin ligjor lind vetëm kur të dyja palët janë tatimpagues. Nëse propozimi kalon, ajo lind edhe kur blerësi është konsumator i thjeshtë, pra te dyqani, te lokali dhe te çdo shitje me pakicë mbi kufirin.

Zëri i tretë e ndryshon natyrën e kësteve. Sot një kësti i papaguar sjell kamatëvonesë. Me propozimin ai bëhet detyrim tatimor i papaguar, pra hyn te e njëjta radhë me çdo detyrim tjetër të maturuar, me gjithçka që vjen pas tij.

Akciza e duhanit, 2027 deri 2033

Nëse tregtoni duhan, paketa parashikon një shkallëzim të gjatë dhe të paralajmëruar, jo një rritje të vetme.

Produkti20262027Më tej
Cigare, për 1,000 fije7,750 lekë8,100 lekë8,450 lekë në 2028, 8,800 lekë në 2029 dhe 9,150 lekë nga 2030, plus 2% e çmimit me pakicë nga 2030, që arrin 5% në 2033
Nikotinë e lëngshme, për mlpa ndryshim në tabelë24 lekë48 lekë në 2033
Duhan me ngrohje, për kgpa ndryshim në tabelë9,450 lekë13,650 lekë në 2033

Rritja e vitit të parë te cigaret është rreth 4.5%. Vlera e saj për një tregtar nuk është shifra e një viti, por fakti që shtatë vitet e ardhshme janë të njohura që sot dhe mund të futen te çmimi dhe te plani i blerjeve.

Karburanti dhe taksa vjetore e mjetit

Taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër propozohet të hiqet nga benzina dhe gazoili. Për ta mbuluar, tarifa fikse e taksës vjetore të mjetit dyfishohet, nga 12.5 në 25 lekë për naftën dhe nga 10 në 20 lekë për benzinën. Mjetet deri në tre vjeçe dhe mjetet elektrike hyjnë në taksë. Formulën, koeficientët dhe shembujt i gjeni te taksa e mjeteve 2027.

Një zë i fundit prek bursën e energjisë. Regjimi i veçantë i TVSH-së për ALPEX propozohet të zgjatet nga 31 dhjetori 2026 deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me efekt nga 1 janari 2027.

Çfarë nuk dihet ende dhe çfarë duhet bërë tani

Më 2 nëntor 2026 nisi shqyrtimi i projektligjeve te komisionet parlamentare dhe Komisioni për Çështjet Ligjore i miratoi në parim. Tekstet e depozituara i kemi lexuar, por ato mund të ndryshojnë ende para votimit. Vendimi për uljen e pragut të TVSH-së, ndryshe, u miratua më 28 tetor dhe u botua më 29 tetor 2026, pra ai është i vendosur dhe nuk pret Kuvendin.

Pyetja që vendos një shumë konkrete, dividendi i fitimeve të vjetra

Pyetja ishte cila normë zbatohet mbi fitimin e viteve të mëparshme që shpërndahet pas 1 janarit 2027. Teksti i depozituar në Kuvend nuk ka dispozitë kalimtare, pra norma 15% i fillon efektet më 1 janar 2027 pa dallim nga viti i fitimit. Ministri i Financave tha të njëjtën gjë më 5 nëntor 2026, çdo vendim shpërndarjeje i marrë nga 1 janari 2027 tatohet me 15%.

Dallimi nuk është teorik. Mbi 1,000,000 lekë dividend, 8% janë 80,000 lekë dhe 15% janë 150,000 lekë, pra 70,000 lekë diferencë për të njëjtin fitim.

Fitimet e pashpërndara të viteve të kaluara mund të vendosen dhe të paguhen brenda dhjetorit 2026 me 8%. Fitimi i vitit 2026 nuk e ka këtë mundësi, sepse bilanci i tij miratohet në 2027. Shpërndarja nuk bëhet kurrë vetëm për tatimin. Ajo ka kuptim kur shoqëria ka likuiditet të lirë dhe nuk ka plan investimi. Nëse vendosni, mbyllni vendimin, pagesën dhe derdhjen e tatimit brenda dhjetorit. Teksti mund të ndryshojë ende në Kuvend, prandaj këtë pikë e rishikojmë pas votimit.

Kundërshtimet nga bota e biznesit janë të forta dhe të shumta, jo vetëm nga një aktor. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka kërkuar publikisht pezullimin e rritjes së taksave dhe një dialog të vërtetë me biznesin. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë thotë se ndryshimet po vijnë pa konsultim real dhe mund të frenojnë investimet dhe konkurrueshmërinë. Vetë bizneset e vlerësojnë barrën shtesë totale rreth 85 milionë euro në vit. Kjo tregon se paketa ende mund të ndryshojë para se të dalë nga Kuvendi.

Për momentin, nuk ka arsye që një biznes të ndryshojë çmimet, pagat apo planet e investimit bazuar te projektligjet ashtu siç janë sot, pasi komisionet parlamentare mund t’i ndryshojnë ende. Ka arsye të mira që t’i njohë paraprakisht, veçanërisht nëse është afër pragut të ri të TVSH-së ose paguan paga mbi 700,000 lekë në muaj. Kështu i ka parasysh në planifikimin e vitit 2027.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Lexo edhe: Taksat 2027, çfarë është fakt dhe çfarë duhet vendosur para dhjetorit

Pyetje të shpeshta

A është paketa fiskale 2027 ligj i miratuar?

Jo. Deri më 11 nëntor 2026, projektligjet janë depozituar në Kuvend dhe Komisioni për Çështjet Ligjore i ka miratuar në parim. Mbeten komisioni përgjegjës dhe votimi final. Vendimi për uljen e pragut të TVSH-së, VKM nr. 822, datë 28.10.2026, është botuar dhe ka efekte nga 1 janari 2027. Projektligjet nuk janë ende ligj.

Kur hyn në fuqi paketa fiskale 2027?

Vetë tekstet e dy projektligjeve parashikojnë hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte nga data 1 janar 2027. Kjo datë mbetet synimi i draftit aktual dhe mund të ndryshojë nëse Kuvendi e shtyn apo e ndryshon tekstin gjatë shqyrtimit, prandaj nuk është ende e sigurt.

Si ndryshon tatimi mbi pagën time sipas propozimit?

Sipas paketës, pagat deri rreth 843,000 lekë në muaj paguajnë më pak tatim, kryesisht nga zgjerimi i brezit 13% deri në 300,000 lekë. Mbi atë shifër, tatimi rritet për shkak të brezit të ri prej 30%.

A duhet biznesi im të regjistrohet tani në TVSH?

Jo sot, por data është e njohur. Pragu prej 10,000,000 lekë mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2026, dhe nga 1 janari 2027 bëhet 5,000,000 lekë sipas VKM nr. 822. Bizneset me qarkullim midis 5,000,000 dhe 10,000,000 lekë duhet thjesht ta kenë parasysh për planifikimin e vitit 2027, sepse vendimi tashmë është marrë dhe është botuar. Afati i regjistrimit nis nga qarkullimi që realizoni, jo nga data e vendimit.

A ndryshojnë gjobat me paketën fiskale 2027?

Sipas draftit, po. Gjoba 10% e vlerës te pagesat me para në dorë shtrihet edhe te shitja ndaj konsumatorit, shtohet një gjobë 100,000 deri 150,000 lekë për dokumentacionin e çmimeve të transferimit, dhe kësti paraprak i papaguar trajtohet si detyrim tatimor i papaguar. Kamatëvonesa mbetet 0.06% në ditë. Këto janë propozime dhe nuk zbatohen sot.

Çfarë duhet të bëjë biznesi im tani?

Mbajtja e informacionit të azhurnuar dhe planifikimi paraprak, pa ndryshuar ende çmime, paga apo deklarime bazuar vetëm te projektligjet ashtu siç ndodhen sot në Kuvend. AlProfit ndjek zhvillimet dhe njofton klientët sapo të ketë ndryshime në tekstin gjatë shqyrtimit parlamentar ose kur të miratohet përfundimisht.

Ku mund të ndiqet vetë zhvillimi zyrtar i paketës fiskale 2027?

Te faqja e Kuvendit, parlament.al, ku ndodhen projektligjet e depozituara, relacionet dhe raportet e komisioneve. Pas miratimit përfundimtar, te Fletorja Zyrtare, qbz.gov.al.

Ndryshimet tatimore prekin çdo vendim financiar që merrni këtë vit. Flisni me ne përpara se të vendosni çmimet, pagat apo investimet e radhës.

KËRKO OFERTË

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR