Çdo e dhënë e regjistruar me regjistrimin fillestar të pronarit përfitues të subjektit raportues, mund të ndryshohet/përditësohet me aplikim nga përfaqësuesi ligjor, sipas afateve dhe procedurës ligjore përkatëse, si më poshtë:
Ndryshimi
Në rast se janë ndryshuar të dhënat e regjistruara pranë regjistrit të pronarit përfitues, përfaqësuesi ligjor i subjektit raportues, duhet të bëj regjistrimin e këtyre ndryshimeve, brenda 90 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik të tyre.
Përditësimi
Nëse një subjekt i detyruar, që i nënshtrohet ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, konstaton se të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues nuk përputhen me të dhënat që ai zotëron në përmbushje të detyrave të tij ligjore, lidhur me pronarin përfitues të një subjekti raportues, duhet brenda 10 ditëve kalendarike nga data e konstatimit, të njoftojë me shkrim subjektin raportues dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Me marrjen e njoftimit me shkrim nga subjekti i detyruar, Qendra Kombëtare e Biznesit brenda 2 ditëve pune publikon njoftimin në regjistër dhe njofton në mënyrë shkresore subjektin raportues mbi konstatimin e subjektit të detyruar.
Subjekti raportues brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit duhet:
të përditësojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, sipas këtij ligji, nëse konstatimi i subjektit të detyruar është i saktë, ose;
të konfirmojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë, nëse konstatimi i subjektit të detyruar nuk është i saktë.
Si bëhet ndryshimi/përditësimi pronarit përfitues, të subjekteve raportuese?
Aplikimi për ndryshimin/përditësimin e të të dhënave për pronarët përfitues bëhet nga personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues nëpërmjet sportelit elektronik, në e-albania, pasi të jetë identifikuar elektronikisht dhe duke përdorur një certifikatë të kualifikuar për nënshkrimin elektronik, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik.
Pas autentifikimit, personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, akseson sportelin elektronik dhe në llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, zgjedh aplikimin për ndryshim/përditësim të pronarit përfitues. Sistemi i informatizuar shfaq formularin përkatës të aplikimit dhe hap dosjen elektronike, që përmban numrin përkatës (numri i çështjes). Formulari i aplikimit për ndryshim/përditësim është hartuar në dy lloje: për subjekte që janë të regjistruar në Regjistrin Tregtar dhe për subjekte të regjistruar në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse.
Pas pëzgjedhjes së aplikimit për regjistrim fillestar të pronarit përfitues, të dhënat e përgjidhshme (NUIS/NIPT; emër, formë ligjore; përfaqësues ligjor) të subjektit raportues, të regjistruara në Regjistrin Tregtar apo në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, do të transferohen automatikisht në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
Më tej, personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, vijon me plotësimin elektronikisht të të gjithë të dhënave të detyrueshme të pronarit përfitues të cilat kërkon t’i ndryshojë/përditësojë dhe vijimin me ngarkimin e dokumentacionit shoqërues të nevojshëm që vërteton të dhënën e re, të regjistruar mbi pronarin përfitues. Formulari i aplikimit për ndryshim/përditësim, është i pajisur me disa instruksione me shënimin*, të cilat duhet të ndiqen gjatë plotësimit të tij.
Pasi personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, verifikon se të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentet shoqëruese, të ngarkuara në dosjen elektronike janë të sakta i konfirmon ato me mjete elektronike që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar të formularit të aplikimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik.
Pas konfirmimit elektronik të aplikimit, sistemi i informatizuar jep konfirmimin automatik të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik, i cili përmban numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar (numrin e çështjes), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit.
Sistemi i informatizuar njofton gjithashtu personin e autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, në postën elektronike të deklaruar pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, duke i dërguar kopje elektronike të formularit të aplikimit të plotësuar dhe të konfirmimit të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik.
Me lëshimin e konfirmimit të kryerjes së aplikimit, sistemi i informatizuar kalon aplikimin dhe dokumentet shoqëruese, në format elektronik, tek nëpunësit e autorizuar (regjistruesve) të QKB-së, për shqyrtim e vendimmarrje.
Dokumentacioni shoqërues që ngarkohet në aplikim:
Person i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues*, në aplikimin elektronik për regjistrimin e pronarit përfitues, bashkëlidh si dokumentacion shoqërues, në format elektronik, aktet si më poshtë vijon:
Dokumentacioni që vërteton numrin unik të identifikimit dhe emrin e subjektit raportues
Dokumentacionin që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit përfitues
Dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit; ose të të drejtave të votimit ose dokumentacion tjetër që përmban informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues.
Në rast se aplikimi kryhet me autorizim nga përfaqësuesi ligjor, ngarkohet dokumenti i autorizimit.
Në rast se pas shterrimit të të gjitha mjeteve të mundshme për identifikimin e pronarit përfitues dhe nëse nuk ka arsye për dyshime, subjektet raportuese nuk arrijnë të identifikojnë si pronar përfitues individin i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues sipas përcaktimeve të ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, atëherë subjektet raportuese duhet të identifikojnë dhe të regjistrojnë në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, si pronar përfitues individin që:
përcakton vendimet e marra nga një person juridik;
kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të personit juridik.
Në këtë rast subjektet raportuese duhet të mbajnë dokumentacionin që arsyeton dhe vërteton veprimet e ndërmarra për të identifikuar pronarin përfitues sipas përcaktimeve të ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, konkretisht gjithashtu:
Deklaratën me shkrim e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit raportues, ku të përcaktohen saktësisht hapat e ndërmarra për identifikimin e pronarin përfitues si dhe arsyet e identifikimit të tij në këtë pozicion
Dokumentacion që vërteton kontrollin e individit të regjistruar si pronar përfitues, në pozicionin përkatës.
Në rast se pas shterrimit të të gjitha mjeteve të mundshme për identifikimin e pronarit përfitues dhe nëse nuk ka arsye për dyshime, subjektet raportuese nuk arrijnë të identifikojnë si pronar përfitues individin si më sipër, atëherë duhet të identifikojnë dhe të regjistrojnë në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, si pronar përfitues individin/ët që mban pozicionin e drejtuesit/drejtuesve më të lartë të subjektit raportues. Në këtë rast subjekti duhet të mbajë dokumentacionin që arsyeton dhe vërteton veprimet e ndërmarra për të identifikuar pronarin përfitues sipas përcaktimeve të ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, konkretisht gjithashtu:
Deklaratën me shkrim e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit raportues, ku të përcaktohen saktësisht hapat e ndërmarra për identifikimin e pronarin përfitues si dhe arsyet e identifikimit të tij në këtë pozicion
Dokumentacion që vërteton pozicionin e drejtuesit/drejtuesve më të lartë të individit të regjistruar si pronar përfitues.
Informacion shtesë mbi dokumentacion shoqërues që ngarkohet në aplikim
Duhet të jetë hartuar jo më vonë se 90 ditë kalendarike nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik i të dhënave të pronarëve përfitues.
Nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse ligjore dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit. Duhet të jenë në gjuhën shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, aplikanti mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Në rast mospërputhjeje të dokumentit shoqërues në gjuhën shqipe me atë në gjuhë të huaj, ky i fundit nuk mund t’u kundrejtohet palëve të treta. Gjithsesi, palët e treta mund t’i kundrejtojnë subjektit të dhënat e përmbajtura në dokumentin në gjuhë të huaj, përveç rastit kur subjekti provon se i treti kishte dijeni për përmbajtjen e dokumentit në gjuhën shqipe.
Vendimmarrja e QKB
Aplikimet për ndryshim të të dhënave të pronarit përfitues, merret në shqyrtim nga nëpunësit e autorizuar të QKB-së për vendimmarrje, sipas radhës së paraqitjes së tyre, pas së cilës jo më vonë se dy ditë pune nga marrja e aplikimit, shpreh vendimin me:
Miratim
Pezullim
Refuzim
Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së verifikon:
identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është person i autorizuar për të bërë regjistrimin;
plotësimin e të gjitha të dhënave për pronarët përfitues të kërkuara nga ligji për regjistrin e pronarëve përfitues, si dhe dokumentet shoqëruese;
paraqitjen, në formën e kërkuar, të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;
faktin nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë, është e palexueshme apo pengon marrjen e imazhit elektronik;
nëse regjistrimi i të dhënave për pronarët përfitues është paraqitur brenda afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për regjistrin e pronarëve përfitues;
faktin nëse janë shlyer sanksionet administrative të vendosur sipas Ligjit Nr.112/2022, i ndryshuar.
faktin nëse të dhënat që kërkohen të regjistrohen janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme, sipas dispozitave të ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues.
Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) nuk mund të shqyrtojë saktësinë e të dhënave, vërtetësinë e dokumenteve, që i bashkëlidhen aplikimit për regjistrim apo përputhshmërinë e përmbajtjes së tyre me kërkesat e ligjit në fuqi.
Përgjegjësia për saktësinë dhe vërtetësine e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistrin elektronik, mbahet nga subjektet raportuese dhe personat e autorizuar për të bërë regjistrimin, sipas ligjeve në fuqi.
Nëse nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së, pas verifikimeve sipas pikave të mësipërme, vëren se aplikimi është në përputhje me kërkesat e ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues dhe këtij vendimi, miraton aplikimin dhe kryerjen e regjistrimit, jo më vonë se dy ditë pune nga marrja e aplikimit nga subjektet raportuese.
Në të kundërt aplikimi brenda dy ditësh nga shqyrtimi i tij, aplikimi pezullohet, shoqëruar me arsyet përkatëse të tij, duke i vënë në dispozicion subjektit 30 ditë për plotësimin e të metave.
Me kalimin e afatit 30 ditor aplikimi miratohet nëse subjekti raportues plotëson të metat që pengojnë regjistrimin, brenda afateve përkatëse ose në të kundërt refuzohet.
Me refuzimin e një kërkese, subjektet raportuese kanë të drejtë të riaplikojnë, sipas ligjit dhe këtij vendimi, paraqitja e së cilës trajtohet si kërkesë e re. Paraqitja e një kërkesë të re nuk çliron subjektin raportues nga sanksionet e parashikuara sipas ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues, në lidhje me moskryerjen e regjistrimeve të detyrueshme brenda afateve ligjore.
Vendimet e QKB-së, lidhur me miratimin pezullimin apo refuzimin e një kërkese njoftohet nëpërmjet publikimit në regjistër. Data e njoftimit është data e publikimit në regjistër.
Gjithashtu, vendimi i publikuar mbi një aplikim, i njoftohet me shkrim personit të autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, edhe në adresën e postës elektronike të deklaruar në sportelin elektronik, pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania.
Aplikimi për konfirmimin e të dhënave të regjistruara në Regjistrin e Pronarit Përfitues.
Kur aplikohet për konfirmimin e të dhënave të regjistruara në Regjistrin e Pronarit Përfitues?
Nëse një subjekt i detyruar, që i nënshtrohet ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, konstaton se të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues nuk përputhen me të dhënat që ai zotëron në përmbushje të detyrave të tij ligjore, lidhur me pronarin përfitues të një subjekti raportues, duhet brenda 10 ditëve kalendarike nga data e konstatimit, të njoftojë me shkrim subjektin raportues dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Me marrjen e njoftimit me shkrim nga subjekti i detyruar, Qendra Kombëtare e Biznesit brenda 2 ditëve pune publikon njoftimin në regjistër dhe njofton në mënyrë shkresore subjektin raportues mbi konstatimin e subjektit të detyruar.
Subjekti raportues brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit duhet:
të përditësojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, sipas këtij ligji, nëse konstatimi i subjektit të detyruar është i saktë, ose;
të konfirmojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë, nëse konstatimi i subjektit të detyruar nuk është i saktë.
Si bëhet aplikimi për konfirimin e të dhënave të regjistruara në Regjistrin e Pronarit Përfitues?
Në rastin e konfirmimit në regjistër të të dhënave për pronarët e tyre përfitues, ndiqen hapat si më poshtë:
1. Pasi është autentifikuar sipas pikës 4, personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues akseson sportelin elektronik në e-albania dhe zgjedh llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet. Pas përzgjedhjes së llojit të regjistrimit, sistemi i informatizuar shfaq formularin e konfirmimit të të dhënës, sipas formatit të miratuar, i cili mban numrin përkatës (një numër për çdo dosje ose aplikim), të dhënë nga sistemi i informatizuar (numri i çështjes), si dhe të dhënat e përgjithshme për subjektin raportues dhe të dhënat e detyrueshme për pronarët përfitues të subjektit raportues.
2. Pasi personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues verifikon se të dhënat e plotësuara në formular janë të sakta, i konfirmon ato me mjete elektronike që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar të formularit të aplikimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik.
Me konfirmimin elektronik të aplikimit sipas gërmës “b” të kësaj pike, personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues konfirmon automatikisht në regjistër edhe të dhënat për pronarët e tyre përfitues.
Sistemi i informatizuar njofton gjithashtu personin e autorizuar për të përfaqësuar subjektin raportues, në postën elektronike të deklaruar pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, duke i dërguar kopje elektronike të formularit të aplikimit të plotësuar dhe të konfirmimit të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik.
Procedura e shqyrtimit të aplikimit për konfirmim dhe publikimi i vendimmarrjes në Regjistër, kryhet si për çdo aplikim tjetër.