Kuptimi ligjor i pronarit përfitues

Regjistri i Pronarëve Përfitues

Kuptimi ligjor i pronarit përfitues sipas ligjit nr. 112/2020 në Shqipëri

Ligji nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i ndryshuar, detyron çdo person juridik të regjistruar në Shqipëri të deklarojë në një regjistër shtetëror individët që e zotërojnë ose e kontrollojnë realisht. Regjistri administrohet nga QKB dhe koncepti çelës mbi të cilin ndërtohet i gjithë detyrimi është pikërisht pronari përfitues.

Në konsultat me klientët hasim shpesh të njëjtin konfuzion: pronari përfitues barazohet me ortakun që figuron në ekstraktin e QKB-së. Në shumicën e rasteve përputhen, por jo gjithmonë. Kur ortaku është vetë një shoqëri tjetër, kur pronësia ndahet mes disa personave ose kur kontrolli ushtrohet pa asnjë kuotë, përgjigjja kërkon analizë sipas përkufizimeve të ligjit.

Më poshtë gjeni këto përkufizime të shpjeguara me shembuj konkretë: pragu 25%, pronësia direkte dhe indirekte, rasti i organizatave jofitimprurëse dhe subjektet që e kanë detyrimin e deklarimit.

Lexo edhe: Regjistrimi fillestar i pronarit përfitues

Çfarë është pronari përfitues

Neni 3 i ligjit nr. 112/2020 e përkufizon pronarin përfitues si individin i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin, dhe/ose individin në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari.

Dy elemente kanë rëndësi praktike.

E para, pronari përfitues është gjithmonë individ, person fizik me emër dhe mbiemër. Një shoqëri nuk mund të regjistrohet si pronare përfituese e një shoqërie tjetër. Kur pas subjektit qëndrojnë persona juridikë, zinxhiri ndiqet deri tek individët në fund të tij.

E dyta, pronësia nuk është e vetmja rrugë. Ligji njeh edhe kontrollin nëpërmjet mjeteve të tjera, pra edhe një individ pa asnjë kuotë mund të jetë pronar përfitues nëse kontrollon realisht subjektin.

Pronësia mbi 25% te shoqëritë

Për shoqëritë tregtare, ligji e konkretizon pronësinë me pragun 25%, në dy forma.

Pronësia direkte

Pronësi direkte është pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve ose kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues (neni 3, pika 2).

Shembull: një sh.p.k. me kapital 1,000,000 lekë ka tre ortakë. Besniku zotëron 500,000 lekë (50%), Arta 300,000 lekë (30%) dhe Endri 200,000 lekë (20%). Pronarë përfitues me pronësi direkte janë Besniku dhe Arta. Endri me 20% nuk regjistrohet, përveç rastit kur ushtron kontroll me mjete të tjera.

Vini re se pragu është 25% ose më tepër, pra edhe saktësisht 25% e plotëson kushtin. Në një shoqëri me katër ortakë të barabartë me nga 25%, të katër janë pronarë përfitues. Për mënyrën si funksionojnë ortakët dhe kuotat në një sh.p.k., lexoni faqen tonë mbi kuptimin ligjor të sh.p.k.-së.

Pronësia indirekte

Pronësi indirekte është pronësia e mbajtur ose kontrolli i ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve ose kuotave të kapitalit të subjektit raportues (neni 3, pika 3).

Shembull me zinxhir: shoqëria Alfa sh.p.k. (subjekti raportues) zotërohet 40% nga shoqëria Beta sh.p.k. Beta nga ana e saj zotërohet 80% nga Arta. Arta nuk figuron askund në ekstraktin e Alfës, por është pronare përfituese indirekte e saj, sepse përmes Betës kontrollon një pjesëmarrje prej 40%.

Shembull me zotërime të bashkuara: Besniku zotëron 100% të dy shoqërive, Gama dhe Delta. Gama mban 15% të subjektit raportues dhe Delta 12%. Asnjëra veçmas nuk e kalon pragun, por së bashku mbajnë 27%, prandaj Besniku është pronar përfitues indirekt.

Pronësia indirekte është rasti tipik i shoqërive me investitorë të huaj, ku ortaku i regjistruar në Shqipëri është një shoqëri mëmë e huaj. Si funksionon regjistrimi në këto raste e gjeni te faqja për investitorin e huaj në shoqëri.

Kontrolli përmes mjeteve të tjera

Përkufizimi i nenit 3 përfshin edhe individin që kontrollon subjektin përmes mjeteve të tjera ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij. Në praktikë kjo mbulon rastet kur një individ, pa zotëruar formalisht kuota, përcakton vendimet e subjektit ose kontrollon zgjedhjen, emërimin dhe largimin e organeve drejtuese.

VKM nr. 1088/2020, i ndryshuar, parashikon edhe procedurën kur asnjë individ nuk identifikohet dot me pronësi: pas shterimit të të gjitha mjeteve dhe në mungesë dyshimesh, subjekti regjistron si pronar përfitues individin që kontrollon vendimmarrjen, dhe në mungesë edhe të tij, drejtuesin më të lartë, gjithmonë të shoqëruar me deklaratë të nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor ku dokumentohen hapat e ndjekur për identifikimin.

Pronari përfitues i organizatave jofitimprurëse

Për OJF-të koncepti i pronësisë nuk funksionon, sepse nuk kanë ortakë as aksionarë. Neni 3, pika 1.1.2 e zgjidh me kontrollin: pronar përfitues i një OJF-je është themeluesi, përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatës.

Kontroll i fundit efektiv sipas ligjit është marrëdhënia në të cilën një person përcakton vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse, ose kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të saj.

Në praktikë çdo fondacion, shoqatë, qendër dhe degë e OJF-së së huaj në Shqipëri ka të paktën një pronar përfitues për të deklaruar. Për detyrimet e tjera të regjistrimit të OJF-ve, shihni seksionin tonë për organizatat jofitimprurëse.

Rasti i trustit

Trusti është një marrëveshje mirëbesimi, ku pronësia mbahet nga i mirëbesuari për llogari të përfituesit (neni 3, pika 11). Kur kontrolli mbi subjektin ushtrohet përmes një trusti ose marrëveshjeje tjetër të ngjashme ligjore, si pronarë përfitues regjistrohen krijuesi i trustit, kujdestari ose i mirëbesuari, mbrojtësi nëse ka, përfituesit, ose kur përfituesit ende nuk janë përcaktuar, klasa e personave për interesin e të cilëve trusti është krijuar, si dhe çdo individ tjetër që ushtron kontrollin e fundit mbi trustin (neni 3, pika 1.2).

Trusti është strukturë e juridiksioneve të huaja dhe haset kryesisht kur ortaku i një shoqërie shqiptare është një entitet i huaj i organizuar në këtë formë.

Kush e ka detyrimin e deklarimit

Subjektet raportuese

Sipas nenit 2 të ligjit, detyrimin e kanë personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë:

  1. shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar
  2. shoqëritë aksionare
  3. shoqëritë kolektive
  4. shoqëritë komandite
  5. zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja
  6. shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre
  7. shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë
  8. shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor
  9. çdo subjekt tjetër juridik që me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së
  10. organizatat jofitimprurëse, përfshirë fondacionet, shoqatat, qendrat dhe degët e OJF-ve të huaja
  11. personat juridikë dhe ndërmarrjet ku, krahas institucioneve qendrore dhe/ose vendore, janë aksionarë edhe individë ose persona juridikë të tjerë shqiptarë a të huaj

Kujdes te pika 5: edhe zyra e përfaqësimit, që nuk kryen veprimtari fitimprurëse, e ka detyrimin e deklarimit njësoj si dega. Më shumë për këto dy forma gjeni te faqet tona për degët e shoqërive të huaja dhe zyrat e përfaqësimit.

Kush përjashtohet

Neni 2, pika 2 e ligjit përjashton nga zbatimi:

  1. personat fizikë, tregtarë të regjistruar në regjistrin tregtar
  2. personat juridikë dhe ndërmarrjet, aksionari i vetëm i të cilëve janë institucionet qendrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë
  3. bashkësitë fetare
  4. partitë politike

Përjashtimi më i rëndësishëm në praktikë është i pari: biznesi i regjistruar si person fizik nuk ka asnjë detyrim ndaj Regjistrit të Pronarëve Përfitues. Detyrimi lind vetëm kur krijohet një person juridik. Ky është edhe një nga elementet që peshohen kur zgjidhet forma ligjore, siç e shpjegojmë te krahasimi person fizik apo shoqëri.

Lexo edhe: Personi fizik si formë biznesi: çfarë është dhe kur regjistrohet

Detyrimet që rrjedhin nga ligji

Mbajtja e dokumentacionit

Sipas nenit 5, pika 1, subjektet raportuese detyrohen të ruajnë dhe të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta e të përditësuara, në bazë të të cilave përcaktohen pronarët përfitues dhe lloji i kontrollit të tyre. Vetë pronarët përfitues detyrohen t’i japin subjektit të gjithë informacionin e nevojshëm (neni 5, pika 2).

Ky detyrim kontrollohet nga autoritetet tatimore gjatë verifikimeve (neni 9, pika 4) dhe mospërmbushja e tij dënohet me gjobë 50,000 lekë (neni 13, pika 5).

Afatet e deklarimit

Neni 5, pika 3 përcakton afatet: për subjektet e reja në regjistrin tregtar deklarimi bëhet njëkohësisht me regjistrimin e shoqërisë, për subjektet me pronësi indirekte të cilave u refuzohet aplikimi brenda 40 ditëve kalendarike nga refuzimi, për OJF-të brenda 40 ditëve nga regjistrimi si person juridik, dhe për çdo ndryshim të të dhënave brenda 90 ditëve kalendarike nga ndryshimi faktik.

Procedurën e plotë të deklarimit të parë e gjeni te regjistrimi fillestar i pronarit përfitues, ndërsa për ndryshimet te ndryshimi i të dhënave të pronarit përfitues.

Saktësia e të dhënave dhe verifikimi

Ligji ka ndërtuar edhe një mekanizëm kontrolli të vazhdueshëm (neni 6, pika 3 dhe kreu VI i VKM nr. 1088/2020). Nëse një subjekt i detyruar, p.sh. një bankë gjatë hapjes së llogarisë, konstaton se të dhënat në regjistër nuk përputhen me ato që zotëron vetë, njofton me shkrim subjektin raportues dhe QKB-në brenda 10 ditëve kalendarike nga konstatimi. Subjekti raportues ka më pas 20 ditë kalendarike ose të përditësojë të dhënat, ose të konfirmojë të dhënat ekzistuese. Nëse nuk vepron, QKB-ja i ndërpret shërbimet deri në sqarimin e situatës.

Të dhënat e regjistruara ruhen përherë në regjistër, dhe në rast çregjistrimi të subjektit edhe për 10 vjet pas tij (neni 9).

Cilat të dhëna janë publike

Sipas nenit 7, të dhënat lirisht të aksesueshme dhe publike janë emri dhe mbiemri i pronarit përfitues, shtetësia, viti dhe muaji i lindjes, data e përcaktimit si pronar përfitues, si dhe lloji dhe përqindja e pronësisë. Të dhënat e tjera, si numri personal apo adresa, aksesohen vetëm nga autoritetet kompetente shtetërore ose nga persona që provojnë interes të ligjshëm.

Si të kërkoni një subjekt në regjistrin publik dhe si të merrni ekstrakte e trajtojmë në faqen e verifikimit dhe aksesit në të dhëna.

Baza ligjore

  1. Ligji nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i ndryshuar me aktin normativ nr. 12, datë 25.3.2021 (miratuar me ligjin nr. 55/2021) dhe ligjin nr. 6/2022. Teksti i konsoliduar:
  2. VKM nr. 1088, datë 24.12.2020 “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues”, i ndryshuar me VKM nr. 273, datë 12.5.2021 dhe VKM nr. 328, datë 18.5.2022. Teksti i konsoliduar:
  3. Legjislacioni i plotë për regjistrimin e pronarëve përfitues në faqen e QKB-së:

Lexo edhe: Ligji nr. 6/2022, çfarë ndryshoi.
Lexo edhe: Kuadri ligjor në fuqi për regjistrimin e biznesit.

Ligji përafron pjesërisht direktivën (BE) 2015/849 për parandalimin e pastrimit të parave, pra regjistri funksionon me të njëjtën logjikë si regjistrat e pronarëve përfitues në vendet e BE-së.

Pyetje të shpeshta

A mund të jetë pronari përfitues një shoqëri?

Jo. Pronari përfitues është gjithmonë individ. Kur ortaku i subjektit është një shoqëri tjetër, zinxhiri i pronësisë ndiqet deri tek individët që qëndrojnë në fund të tij dhe në deklarim regjistrohen edhe personat juridikë ndërmjetës.

Sh.p.k.-ja ime ka dy ortakë me nga 50%. Kush deklarohet?

Të dy. Çdo individ që zotëron 25% ose më tepër është pronar përfitues dhe deklarohet me të dhënat e veta, datën e përcaktimit dhe llojin e përqindjen e pronësisë.

Ortaku im zotëron vetëm 10%. A duhet deklaruar?

Si rregull jo, sepse nuk e kalon pragun 25%. Por nëse ky individ kontrollon realisht subjektin me mjete të tjera, p.sh. përcakton vendimet ose kontrollon emërimin e organeve drejtuese, ai regjistrohet si pronar përfitues mbi bazën e kontrollit.

Jam administrator, por jo ortak. A jam pronar përfitues?

Si rregull jo. Sipas VKM nr. 1088/2020, të ndryshuar, drejtuesi më i lartë regjistrohet si pronar përfitues vetëm në rastin e veçantë kur, pas shterimit të të gjitha mjeteve, subjekti nuk identifikon dot asnjë individ me pronësi ose kontroll, dhe kjo dokumentohet me deklaratë të posaçme të përfaqësuesit ligjor.

Jam person fizik i regjistruar në QKB. A më prek ky ligj?

Jo. Personat fizikë tregtarë janë shprehimisht të përjashtuar nga neni 2, pika 2 e ligjit. Detyrimi lind vetëm nëse e ktheni aktivitetin në person juridik, p.sh. në sh.p.k.

Pas çdo biznesi qëndrojnë njerëz konkretë dhe ligji kërkon që ata të deklarohen saktë. Struktura juaj e pronësisë mund të jetë e thjeshtë ose një zinxhir me disa nivele; ne e lexojmë me syrin e ligjit, identifikojmë pronarët përfitues dhe kryejmë deklarimin në QKB, që ju të merreni me biznesin dhe jo me formularët.

KËRKO OFERTË

GDPR