Si të verifikoni pronarin përfitues në QKB

Regjistri i Pronarëve Përfitues

Verifikimi i pronarit përfitues në regjistrin publik të QKB-së

Kush qëndron pas një biznesi?
Emri i biznesit ose NIPT-i… Kërko në RPP
Falas, pa llogari, në regjistrin zyrtar të QKB-së.

Regjistri i Pronarëve Përfitues është publik. Çdokush mund të shohë online dhe falas se cilët individë qëndrojnë pas një shoqërie ose organizate të regjistruar në Shqipëri. Verifikimi vlen në dy drejtime. Mund të kontrolloni një partner, furnitor a klient para se të hyni në marrëdhënie biznesi me të, dhe mund të kontrolloni subjektin tuaj, që deklarimi të jetë aty ku duhet dhe të dhënat të pasqyrojnë realitetin.

Më poshtë gjeni cilat të dhëna janë publike dhe cilat jo, si përdoret kërkimi publik i QKB-së, si merren ekstraktet dhe çfarë bëni me atë që gjeni.

Lexo edhe: Regjistri i Pronarëve Përfitues.

Cilat të dhëna janë publike

Neni 7 i ligjit nr. 112/2020 i përcakton të dhënat lirisht të aksesueshme dhe publike për çdo pronar përfitues si më poshtë.

  1. emri dhe mbiemri
  2. shtetësia
  3. viti dhe muaji i lindjes
  4. data e përcaktimit si pronar përfitues
  5. lloji dhe përqindja e pronësisë, direkte ose indirekte

Të dhënat e tjera, si numri personal i identifikimit, datëlindja e plotë apo adresa, nuk janë publike. Ato aksesohen vetëm nga autoritetet kompetente shtetërore, nga personat e autorizuar të vetë subjektit dhe nga të tretët që provojnë interes të ligjshëm.

Lexo edhe: Kuptimi ligjor i pronarit përfitues.

Kërkimi publik i subjektit në RPP

Mjeti kryesor është kërkimi publik i QKB-së, këtu.

Kërkoni me NUIS/NIPT ose me emrin e subjektit dhe ju shfaqen pronarët përfitues të regjistruar, me të dhënat publike të tyre. Nuk kërkon llogari, nuk ka tarifë dhe funksionon për çdo subjekt raportues. Kur pronësia është indirekte, këtu duket edhe ajo që ekstrakti tregtar nuk e tregon dot, pra individi në fund të zinxhirit dhe jo thjesht shoqëria mëmë e regjistruar si ortake.

Ja dy përdorime praktike që ua rekomandojmë klientëve.

  1. Para një bashkëpunimi të ri, kontrolloni kush qëndron realisht pas palës tjetër.
  2. Një herë në vit, kontrolloni subjektin tuaj. Nëse nuk shfaqet asnjë pronar përfitues ose të dhënat kanë mbetur pas ndryshimeve të ortakërisë, keni një detyrim të pambuluar që zgjidhet më lirë sot se pas gjobës.

Statusi i një aplikimi në proces

Për aplikimet e kryera në RPP, numri i çështjes që ju dha sistemi shërben për të ndjekur gjendjen në çdo kohë këtu.

Vendimet e QKB-së njoftohen edhe me publikim në regjistër dhe me email në adresën e deklaruar në e-Albania.

Ekstraktet nga regjistri

Pamja në ekran mjafton për një kontroll të shpejtë, por jo për një dosje kredie apo një proces due diligence. Për këto raste lëshohen ekstraktet, sipas nenit 8 të ligjit dhe kreut VIII të VKM nr. 1088/2020.

  1. Ekstrakti elektronik për të dhënat publike merret pa pengesa nga çdo person i interesuar.
  2. Ekstrakti shkresor kërkohet me kërkesë me shkrim sipas formatit të miratuar, shoqëruar me mandatpagesën e tarifës përkatëse. QKB-ja e lëshon brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës.

Tarifat për ekstraktet shkresore dhe për informacionin jopublik përcaktohen me urdhrin nr. 25, datë 3.2.2021.

Informacioni jopublik dhe interesi i ligjshëm

Të dhënat që nuk janë publike mund të kërkohen me kërkesë me shkrim ose elektronike drejtuar QKB-së (neni 7, pikat 4 deri 8). Subjektet e detyruara, si bankat, i marrin kur u nevojiten për detyrat e tyre ligjore. Çdo person tjetër duhet të provojë interes të ligjshëm.

QKB-ja e shqyrton kërkesën dhe, pasi verifikon interesin e ligjshëm dhe pagesën e tarifës, i jep të dhënat brenda 10 ditëve pune. Kërkesa mund të refuzohet kur pronari përfitues është i mitur ose pa zotësi për të vepruar, ose kur dhënia e informacionit do ta ekspozonte ndaj rrezikut disproporcional, mashtrimit, rrëmbimit, shantazhit apo frikësimit.

Çfarë bëni me atë që gjeni

Verifikimi vlen aq sa veprimi që pason. Ja tre përfundimet e mundshme dhe rruga për secilin.

  1. Të dhënat e subjektit tuaj kanë mbetur pas realitetit. Aplikoni për ndryshimin e të dhënave brenda 90 ditëve nga ndryshimi faktik; pas afatit gjoba është 400,000 lekë. Nëse mospërputhjen e ka konstatuar banka dhe njoftimi ju ka ardhur nga QKB-ja, keni 20 ditë për të përditësuar ose konfirmuar të dhënat.

Lexo edhe: Si të ndryshoni të dhënat e pronarit përfitues.

  1. Subjekti juaj s’ka fare pronarë të regjistruar. Kryeni regjistrimin fillestar sa më parë; gjobat dhe bllokimi i shërbimeve në QKB zbatohen derisa regjistrimi të bëhet.

Lexo edhe: Si të deklaroni pronarin përfitues në QKB.

  1. Figuroni si pronar përfitues i një subjekti pa qenë i tillë. Ligji ju njeh të drejtën e padisë kundër subjektit në gjykatën kompetente (neni 10). Me vendimin e formës së prerë, QKB-ja e korrigjon të dhënën brenda 2 ditëve pune.

Sa kohë ruhen të dhënat

Të dhënat e pronarëve përfitues ruhen përherë në regjistër. Kur subjekti çregjistrohet, të dhënat e tij ruhen edhe për 10 vjet nga data e çregjistrimit (neni 9). Pra edhe pas mbylljes së një shoqërie, historia e pronësisë së saj mbetet e gjurmueshme.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Pyetjet më të shpeshta

A mund të shoh pronarët përfitues të konkurrentit apo të një partneri?

Po. Kërkimi publik është i hapur për këdo dhe për çdo subjekt raportues, pa tarifë dhe pa llogari. Shfaqen vetëm pesë të dhënat publike.

A shfaqet numri im personal apo adresa ime?

Jo. Këto janë të dhëna jopublike dhe aksesohen vetëm nga autoritetet kompetente ose nga persona që provojnë interes të ligjshëm dhe paguajnë tarifën përkatëse.

Kompaninë e huaj që zotëron ortakun tim, a e gjej në RPP?

Jo si subjekt më vete. RPP mbulon vetëm subjektet e regjistruara në Shqipëri, por te subjekti shqiptar me pronësi indirekte shfaqet individi përfundimtar pas zinxhirit, që është edhe informacioni me vlerë.

Shoqëria u mbyll. A fshihen të dhënat e pronarëve të saj?

Jo menjëherë. Të dhënat ruhen përherë në regjistër dhe, pas çregjistrimit të subjektit, edhe për 10 vjet. Historia e pronësisë mbetet e gjurmueshme.

Burimi: Qendra Kombëtare e Biznesit.

Një kontroll dy minutësh në regjistrin publik ju tregon me kë po hyni në marrëdhënie biznesi dhe nëse deklarimi juaj është në rregull. Për klientët tanë këtë kontroll e bëjmë ne, periodikisht dhe sa herë ndryshon struktura e pronësisë, si pjesë e abonimit mujor.

KËRKO OFERTË

GDPR