Investitor i huaj në një shoqëri shqiptare

Bizneset e huaja në Shqipëri

Kryefaqe | Si të regjistrosh biznesin në Shqipëri | Bizneset e huaja në Shqipëri | Investitor i huaj në një shoqëri shqiptare

Një investitor i huaj mund të zotërojë një shoqëri shqiptare deri në 100%, pa pengesa ligjore dhe pa nevojën e një ortaku shqiptar. Ligji nr. 7764/1993 “Për investimet e huaja” e trajton investitorin e huaj në të njëjtin nivel me atë vendas dhe i njeh të drejtën të tërheqë lirisht fitimin dhe kapitalin jashtë vendit. Kjo është një nga format kryesore me të cilat një i huaj investon në Shqipëri.

Një i huaj që do të bëjë biznes në Shqipëri zgjedh midis disa formave. Person fizik, kur dëshiron të jetë i vetëpunësuar. Degë e shoqërisë së huaj, kur dëshiron të zgjerojë në Shqipëri shoqërinë që ka jashtë. Zyrë përfaqësimi, kur dëshiron vetëm prani, pa shitje. Forma më e zakonshme është kur i huaji investon në një shoqëri shqiptare dhe bëhet ortak në të, vetë si individ ose përmes një kompanie që ka jashtë.

Lexo edhe: Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, Regjistrimi Fillestar

Investitor individ apo shoqëri e huaj

Investitori i huaj mund të jetë një individ ose një shoqëri e huaj. Dokumentet ndryshojnë sipas rastit.

Kur investitori është një individ

Një individ i huaj mund të jetë ortak i vetëm dhe administrator i vetëm i shoqërisë. Dokumenti i vetëm që shton ai në aplikim është identiteti, pasaportë ose kartë identiteti e vlefshme. Ligji kërkon dokumentet e identifikimit të ortakëve kur të dhënat e tyre nuk përcaktohen në aktet e themelimit.

Kur investitori është një shoqëri e huaj

Kur ortaku është person juridik i huaj, sipas nenit 29 të Ligjit nr. 9723/2007 “Për Regjistrimin e Biznesit”, të ndryshuar, përveç dokumenteve sipas llojit të shoqërisë, aplikimit i bashkëngjiten edhe dokumentet e parashikuara në nenin 28, pika 5, shkronjat “a” deri “d”, konkretisht këto.

Akti i themelimit dhe statuti i shoqërisë së huaj, ose akti ekuivalent i krijimit sipas legjislacionit të huaj, bashkë me tekstin e plotë të ndryshimeve të mëpasshme.

Dokumentacioni që vërteton regjistrimin e shoqërisë së huaj në juridiksionin e huaj.

Dokumentacioni që vërteton gjendjen aktuale të shoqërisë së huaj, i lëshuar jo më shumë se 90 ditë para aplikimit, me të dhënat e regjistrimit dhe të përfaqësimit, përfshirë nëse është në proces likuidimi apo falimentimi.

Vendimi ose aktet e tjera të organit përkatës të shoqërisë së huaj për pjesëmarrjen në shoqërinë në Shqipëri.

Forma e dokumenteve të huaja

Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthim të vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen. Legalizimi bëhet me vulën apostile për vendet pjesë të Konventës së Hagës, ose me legalizim konsullor për vendet jashtë saj.

Regjistrimi në QKB është pa pagesë dhe përfundon brenda një dite pune. Koha dhe kostoja reale e procesit shkojnë te apostila dhe përkthimi i dokumenteve të huaja, prandaj ia vlen t’i nisni herët.

Si nënshkruhet dhe dorëzohet aplikimi

Aplikimi kryhet online në e-Albania dhe nënshkruhet elektronikisht. Nëse ortaku i huaj nuk ndodhet në Shqipëri ose nuk ka nënshkrim elektronik, ka dy rrugë.

Mund të autorizojë me prokurë një person në Shqipëri, për shembull kontabilistin ose juristin, që e kryen aplikimin në emrin e tij. Kur aplikanti është i ndryshëm nga përfaqësuesi ligjor i shoqërisë, depozitohet akti i përfaqësimit.

Ose mund të përdorë nënshkrimin elektronik të përkohshëm që e-Albania ofron për jorezidentët, i cili lejon firmosjen pa pasur një ID elektronike shqiptare.

Investitor individ1 dokument

Dokument identiteti, pasaportë ose kartë identiteti e vlefshme

Prokurë, vetëm nëse nuk ndodhet në Shqipëri

Investitor shoqëri e huaj4 dokumente

Akti i themelimit dhe statuti

Vërtetim i regjistrimit në juridiksionin e huaj

Gjendja aktuale, brenda 90 ditëve

Vendimi i organit për pjesëmarrje

Të dyja palët i pajisin dokumentet e huaja me apostilë ose legalizim konsullor dhe me përkthim të vërtetuar në shqip.

Prokura kur administratori është shtetas i huaj

Kur administratori i shoqërisë është shtetas i huaj dhe nuk ndodhet në Shqipëri o ai lëshon një prokurë të posaçme te një person i besuar në Shqipëri, që ka llogari aktive në e-Albania dhe nënshkrim elektronik. Ky person e plotëson dhe e nënshkruan aplikimin në emër të tij.

Prokura hartohet dhe firmoset në gjuhën shqipe pranë një noteri në Shqipëri. Nëse administratori nuk e kupton shqipen, gjatë firmosjes duhet të jetë i pranishëm një përkthyes i licencuar, që ia përkthen dokumentin. Zakonisht noteri e siguron edhe përkthyesin.

Nëse administratori e firmos prokurën jashtë Shqipërisë, ajo duhet të pajiset me vulën apostile, ose me legalizim konsullor për vendet jashtë Konventës së Hagës, dhe pastaj të përkthehet e të noterizohet në shqip.

Shkarko një model të prokurës së posaçme.

Leja e qëndrimit për shtetasi e huaj që jetojnë në Shqipëri

Regjistrimi i shoqërisë nuk është leje qëndrimi. Janë dy gjëra të ndara. Shoqërinë mund ta zotëroni nga jashtë, por nëse doni të jetoni në Shqipëri dhe ta drejtoni vetë, ju duhet leje qëndrimi.

Për qëndrime deri 90 ditë brenda 180 ditëve nuk ju duhet leje. Mbi këtë afat, leja unike është dokumenti që ju nevojitet, sepse bashkon në një të vetme të drejtën e qëndrimit dhe atë të punës. Aplikimi bëhet pranë zyrës vendore për kufirin dhe migracionin.

Lexo edhe: Të Huajt në Shqipëri, Rregullat e Reja të 2026

Çfarë ndodh pas regjistrimit

Sapo shoqëria merr NIPT-in, regjistrohet automatikisht te tatimet, te sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe te Inspektorati i Punës. Më pas hapni një llogari bankare biznesi dhe aktivizoni fiskalizimin.

Brenda 30 ditëve nga regjistrimi, shoqëria duhet të deklarojë pronarët përfitues, pra individët që e kontrollojnë në fund. Këtë mund ta bëni edhe njëkohësisht me regjistrimin e shoqërisë, përmes një aplikimi të vetëm në e-Albania. Ky detyrim vlen për personat juridikë, ndryshe nga personi fizik që nuk hyn te ky regjistër. Më shumë te Regjistri i Pronarëve Përfitues.

Tatimi për ortakun e huaj

Shoqëria tatohet si çdo shoqëri shqiptare. Kur fitimi i shpërndahet ortakut si divident, mbahet tatim dividenti. Për ortakun jorezident, kjo normë mund të ndryshojë sipas marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë mes Shqipërisë dhe vendit të huaj.

Lexo edhe: Tatimet në Shqipëri

Pyetjet më të shpeshta

A mund të zotëroj 100% të një shoqërie shqiptare?

Po. Ligji nuk kërkon asnjë ortak shqiptar. Një i huaj mund të jetë ortak i vetëm dhe/ose administrator i vetëm.

A mund të jem ortak pa qenë në Shqipëri?

Po. Mund të jeni ortak pa qenë asnjë herë në Shqipëri. Firmosja e Statutit dhe Aktit të Themelimit sipas Ligjit në Shqipëri bëhet pa qenë nevoja e prezencës fizike pranë një Noteri apo institucioni.

Cili është ndryshimi nga dega?

Shoqëria me ortak të huaj është një subjekt i ri shqiptar me përgjegjësi të kufizuar. Dega është zgjatim i shoqërisë mëmë jashtë vendit, pa subjekt të ndarë, ku përgjigjet vetë shoqëria mëmë.

A hyn shoqëria te Regjistri i Pronarëve Përfitues?

Po. Çdo shoqëri duhet të deklarojë pronarët përfitues brenda 30 ditëve nga regjistrimi.

A duhet t’i përkthej dokumentet e huaja?

Po. Çdo dokument zyrtar i huaj legalizohet me apostile ose legalizim konsullor dhe përkthehet i vërtetuar në shqip.

Lexo edhe: Si Regjistrohen Bizneset e Huaja në Shqipëri

AlProfit Consult është partneri juaj në Shqipëri, nga regjistrimi i shoqërisë dhe dokumentet e huaja, te kontabiliteti, tatimet dhe leja e qëndrimit. Ju investoni, ne kujdesemi për pjesën tjetër.

Shiko çmimet

GDPR