Për personat juridikë, për degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim dhe depozitimit të akteve përkatëse, që vërtetojnë kryerjen dhe mbylljen e procedurave të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Çregjistrimi vullnetar për personat juridikë Neni 190 – 203 i ligjit nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”) kalon në dy faza.
Pasi është regjistruar fillimi i procedurave të likuidimit, përpara se të kryejë çregjistrimin e subjektit, në përputhje me ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 45, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi), detyrohet të njoftoje organet tatimore dhe të presë brenda afatit ligjor 30 dite kalendarike, konfirmimin ne lidhje me situatën tatimore të subjektit (ka apo jo detyrime).
Fillimi i procedurave të likuidimit (likuidim në gjëndjen e aftësise paguese), kryhet në dy forma:
Likuidim i zakonshëm
Likuidim i thjeshtëzuar
Nis me prishjen e shoqërisë për pasoja të ndryshme dhe me emërimin e likuiduesi
Likuidim i thjeshtëzuar. Mbështetur në nenin 240 të ligjit nr. 9901/2008, shoqëritë tregtare, mund të likuidohen nëpërmjet një procedure të përshpejtuar, nëse kjo vendoset nga të gjithë ortakët apo aksionarët dhe kur këta deklarojnë përpara gjykatës përkatëse se të gjitha detyrimet e shoqërisë ndaj kreditorëve janë shlyer e janë rregulluar të gjitha marrëdhëniet me punëmarrësit. Në rastin e likuidimit te thjeshtëzuar, duhet të paraqitet në QKB Vendimi i gjykatës për likuidimin e shoqërisë, nëpërmjet procedurës së thjeshtëzuar.
Fillimi i procedurës së likuidimit: emërimi i likuidatorit (Faza e parë)
Dokumentacioni shoqërues:
Dokumenti i identifikimit të përfaqësuesit ligjor/likuiduesit (nëse ai është aplikanti).
Nëse aplikanti është i ndryshëm nga përfaqësuesi ligjor/likuiduesi, duhet të depozitohet Akti i Përfaqësimit.
Vendimi i Asamblesë së përgjithshme të shoqërisë për fillimin e procedurës së likuidimit ose Vendimi i gjykatës për caktimin e likuiduesit sipas nenit 191/2 të ligjit Nr. 9901 datë 14.04.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.
Të dhënat e likuiduesve të parë dhe tagrat e tyre, për të përfaqësuar shoqërinë.
Likuiduesit depozitojnë nënshkrimin e tyre (neni 194 i ligjit nr.9901/2008).
Likuiduesit i njoftojnë, gjithashtu, Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për regjistrim çdo ndryshim për identitetin dhe tagrat e tyre të përfaqësimit.
Me hapjen e procedurave të likuidimit, emri i regjistruar i shoqërisë ndiqet nga shënimi “Në likuidim”.
Çregjistrim i personit juridik: Aplikimi (Faza e dytë)
Çregjistrimi i personit juridik nuk mund të bëhet përpara përfundimit të afatit për depozitimit e pretendimeve të kreditoreve (ligji 9901/2008, i ndryshuar, neni 199 pika 1.
Dokumentacioni shoqërues:
Dokumenti i identifikimit të likuiduesit (nëse ai është aplikanti).
Nëse aplikanti është i ndryshëm nga likuiduesi, duhet të depozitohet Akti i Përfaqësimit.
Bilanci i gjendjes së shoqërisë në çastin e hapjes së likuidimit dhe bilanci përfundimtar në çastin e mbylljes së këtyre procedurave. (neni 198)
Raporti i likuidatorit për procedurën e likuidimit.
Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për miratimin e raportit të likuidimit dhe lirimin e likuiduesve nga detyra.
Çregjistrimi në mënyrë vullnetare për degët dhe zyrat përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim dhe depozitimit të akteve përkatëse, që vërtetojnë kryerjen dhe mbylljen e procedurave të likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi. Çregjistrimi nuk kryhet nëse aktet e ndërmjetme të procesit të likuidimit nuk janë njoftuar dhe depozituar pranë Regjistrit Tregtar.
Çregjistrimi me vendim të autoriteteve të tjera
Çregjistrimi nga Regjistri Tregtar me vendim të autoriteteve të tjera kryhet mbi bazën e:
një vendimi gjyqësor të paankimueshëm;
një vendimi përfundimtar të një autoriteti tjetër publik kur parashikohet nga ligje të posaçme;
në rastet e pavlefshmërisë së personave juridikë, pas mbylljes së likuidimit në rrugë gjyqësore, të falimentimit apo në rastet e tjera të parashikuara nga ligji.
Pasojat e regjistrimit
Emri i subjektit tregtar do të konsiderohet i zënë, për një afat prej 6 muajsh nga data e çregjistrimit.
Çregjistrimi i personave juridikë nga Regjistri Tregtar ka si pasojë humbjen e personalitetit juridik të subjekteve.
Çregjistrimi nga Regjistri Tregtar i personave fizikë, i degëve dhe i zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja, dhe shoqërive të thjeshta ka efekt deklarativ.
Subjektet e çregjistruara përgjigjen për detyrimet e mbetura ndaj të tretëve dhe ndaj autoriteteve publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.