Nëse një OJF apo Ent Publik kryen furnizime të tatueshme, mallra apo shërbime, ato detyrohen të jenë të regjistruar për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së.
TVSH-ja është një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin.
TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.
Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm si dhe të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Bazuar në VKM Nr.953 datë 29.12.2014
Organizatat Jofitimprurëse përjashtohen nga TVSH-ja nëse plotësojnë kriteret dhe procedurën për furnizimet si më poshtë:
Këto furnizime me karakter shoqëror, edukativ, kulturor, sportiv përjashtohen nga TVSH-ja kur kryhen nga organizma publikë apo nga organizata pa qëllim fitimi me karakter social, të njohura nga autoriteti kompetent në Republikën e Shqipërisë dhe me çmime të miratuara nga ky autoritet.
Në rast se këto çmime nuk janë të miratuara, veprimtaria e organizatës përfiton këtë përjashtim nga TVSH-ja, me kusht që çmimet e furnizimeve që ofron organizata jofitimprurëse të jenë më të ulëta se ato që ofrohen për furnizime të ngjashme nga ana e subjekteve të TVSH-së, me qëllim që të mos sjellë shtrembërim të konkurrencës.
Nocioni i “të ardhurave të përgjithshme” përmbledh të gjitha burimet financiare të organizatës, përfshirë të ardhurat nga furnizimet dhe subvencionet e shfrytëzimit.
Kujtesë
Organizmat që përfitojnë nga ky përjashtim kur plotësojnë kriteret e sipërpërmendura për veprimtarinë ekonomike që ato kryejnë, janë:
Këto organizata jofitimprurëse, që veprojnë në këtë mënyrë, përjashtohen për shërbimet me karakter social, edukativ, kulturor apo sportiv, si dhe për furnizimet e mallrave që u ofrojnë me çmime të reduktuara kryesisht anëtarëve të tyre por edhe të tjerëve, si pjesë e aktivitetit dytësor të tyre të kryer në funksion të qëllimit të tyre jofitimprurës.
Organizatat pa qëllim fitimi nuk duhet të përdorin reklamat, të njohura si praktika të përdorura për arsye tregtare, të cilat u drejtohen personave joanëtarë për të reklamuar ose për të bërë të njohur veprimtarinë e organizatës.
Nëse ato reklamojnë veprimtarinë e tyre, atëherë furnizimet e tyre nuk përfitojnë nga ky përjashtim.
Në kuadër të furnizimit të shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me mbrojtjen e fëmijëve, cilido qoftë personi juridik, ent publik, shoqatë, ndërmarrje, përjashtohen furnizimet e kryera nga institucionet që kujdesen për fëmijët e moshës deri në tre vjeç të cilat që në gjuhën e përditshme njihen “çerdhe”.
Organizatat jofitimprurëse që përfitojnë nga përjashtimi prej TVSH-së për furnizimet që ofrojnë në kuadër të veprimtarisë së tyre ekonomike, nuk kanë të drejtë të zbresin TVSH-në për mallrat dhe shërbimet e blera për qëllime të furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja.
Organizatat jofitimprurëse, të cilat kryejnë veprimtari ekonomike, si veprimtari dytësore të tyre, edhe kur përfitojnë nga përjashtimi i TVSH-së sipas këtij vendimi detyrohen të bëjnë deklarimet për TVSH-në në afatet dhe formën që përcaktohet në ligj.
Në deklaratën e TVSH-së do të deklarohen vetëm furnizimet e kryera në kuadër të veprimtarisë ekonomike si shitje dhe blerje të përjashtuara nga TVSH-ja.
Organizata jofitimprurëse, e cila kryen veprimtari ekonomike si veprimtari dytësore të saj dhe që plotëson kriteret e përcaktuara, që të aplikojë përjashtimin nga TVSH-ja për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve që kryen, detyrohet të kryejë procedurat e mëposhtme:
Në këtë deklaratë, organizata duhet të deklarojë në përqindje të përafërt të pjesës që zë ose pritet të zërë veprimtaria ekonomike e organizatës në raport me atë joekonomike. Kjo deklaratë kërkohet si në rastin kur organizata është regjistruar rishtas dhe nuk ka kryer më parë veprimtari ekonomike edhe në rastin kur ka kryer veprimtari bazuar në të dhënat e pasqyrave financiare të dorëzuara në organin tatimor.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është e regjistruar organizata ngre një grup pune (me 2 deri 3 punonjës), i cili shqyrton rastin bazuar në dokumentacionin e paraqitur, situatën që paraqet organizata, historikun e saj (nëse ka) si dhe çdo të dhënë tjetër që disponon.
Bazuar në rezultatet e verifikimit, kur plotësohen kriteret e përcaktuara në nenin 2, të këtij vendimi, brenda 25 ditëve pune, grupi i punës i paraqet një raport drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke i propozuar miratimin e përjashtimit nga TVSH-ja për furnizimet që kryen organizata.
Nëse gjykohet e nevojshme mund të kryhet edhe verifikim në vend i veprimtarisë së organizatës për llojet e furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve të kryera dhe çmimet që aplikon për secilin furnizim. Edhe nëse verifikimi nuk kryhet paraprakisht ai mund të kryhet në çdo kohë prej autoritetit tatimor.
Në përfundim të procedurës, jo më vonë se 5 ditë pune, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve lëshon autoizimin për përjashtimin nga TVSH-ja. Nëse autorizimi refuzohet, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve jep arsyet, për të cilat përjashtimi nga TVSH-ja nuk mund të aplikohet prej organizatës.
Lëshimi i autorizimit për përjashtim nga TVSH-ja është i vlefshëm për 3 (tre) vjet, me të drejtë rinovimi. Për rinovimin e autorizimit për përjashtimin nga TVSH-ja ndiqet e njëjta procedurë, të njëjtat kushte dhe kritere si në rastin e përfitimit për herë të parë të autorizimit.
Në vëmendje
Nuk i nënshtrohen procedurës në fjalë, organizatat jofitimprurëse të cilat nuk kryejnë veprimtari ekonomike në kuadër të veprimtarisë jofitimprurëse që konsiderohen persona të patatueshëm për TVSH-në.
Këta organizata nuk regjistrohen për TVSH-në.
Gjithashtu, nuk i nënshtrohen kësaj procedure organizatat jofitimprurëse të cilat kryejnë veprimtari ekonomike të përjashtuar nga TVSH-ja sipas ligjit, si p.sh. shërbime shëndetësore, arsimore etj, në përputhje me përcaktimet në dispozitat ligjore.
Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave të kryera nga organizatat jofitimprurëse, veprimtaria e të cilave përjashtohet nga TVSH-ja, në raste të manifestimeve ose organizimeve për mbledhje fondesh ekskluzivisht për qëllime bamirësie ose në funksion të përmbushjes së qëllimit të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, përjashtohen nga TVSH-ja nëse numri i këtyre manifesimeve ose organizimeve nuk kalon 5 (pesë) të tilla në vit.
Nëse organizohen më shumë manifestime të tilla, përjashtimi nga TVSH-ja aplikohet për të ardhurat e mbledhura vetëm për pesë manifestime.
Megjithatë pavarësisht nga numri, përjashtimi nuk aplikohet nëse organizimi i këtyre manifestimeve me pagesë dhe të hapura për publikun ka karakter të shpeshtë.
Përjashtimi nuk aplikohet për furnizimet e kryera nga personat fizikë ose juridikë tregtarë edhe nëse janë të autorizuar nga organizatorët e manifestimit, që të ushtrojnë për llogarinë e tyre disa veprimtari gjatë zhvillimit të manifestimit, të tilla si shitje produktesh të ndryshme, shfrytëzimi i stendave, bareve etj.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.