
Taksat kombëtare janë grupi i detyrimeve që nuk shfaqen çdo muaj në e-Filing, por dalin kur biznesi kur importon ose prodhon produkt të paketuar, dhe kur blen karburant. Ato rregullohen me ligjin nr. 9975/2008 dhe administrohen nga institucione të ndryshme, prandaj nuk ndiqen me të njëjtin kalendar si TVSH-ja ose tatimi mbi fitimin.
Kjo faqe tregon mekanizmin e tri taksave që prekin më shumë biznese, pra taksës së qarkullimit dhe të karbonit mbi karburantet, taksave të mjeteve dhe taksës mbi ambalazhet. Për secilën shpjegohet kush e paguan, ku paguhet dhe si trajtohet në kontabilitet, ndërsa normat në fuqi nxirren nga aktet përkatëse për rastin konkret.
Lexo edhe: Akciza dhe renta minerare, me administrim doganor.
| Taksa | Kush e paguan | Momenti |
|---|---|---|
| Taksa e qarkullimit mbi karburantet | Importuesi dhe prodhuesi i karburantit | Vënia në qarkullim |
| Taksa e karbonit | Importuesi dhe prodhuesi i karburantit | Vënia në qarkullim |
| Taksa e mjeteve të përdorura | Kush importon mjetin | Zhdoganimi |
| Taksa vjetore e mjeteve | Pronari i mjetit të regjistruar | Një herë në vit |
| Taksa mbi ambalazhet | Prodhuesi dhe importuesi i produktit të paketuar | Importi ose prodhimi |
| Taksa mbi primet e sigurimit | Shoqëritë e sigurimit | Prima e mbledhur |
| Taksa e aktit dhe pullat | Kush kryen veprimin notarial ose administrativ | Veprimi |
Kolona e mesme është pjesa që kursen para. Shumë biznese paguajnë ose kërkojnë të paguajnë një taksë që nuk i takon, sepse rolin e vet, prodhues, importues apo tregtar, nuk e kanë përcaktuar qartë.
Taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit zbatohen mbi karburantet, si taksa kombëtare të parashikuara në ligjin nr. 9975/2008. Baza e tyre është sasia e produktit e vënë në qarkullim, e matur në njësi, prandaj ato nuk varen nga çmimi i shitjes dhe nuk lëvizin kur çmimi i naftës ndryshon.
Detyrimi ligjor bie mbi importuesin dhe prodhuesin e karburantit, në momentin e vënies në qarkullim. Biznesi që vetëm konsumon naftë ose benzinë nuk ka deklaratë të veçantë, sepse taksa hyn e mbaruar në çmimin e pompës dhe kalon në kosto bashkë me karburantin.
Për importin, taksa likuidohet në procedurën doganore bashkë me detyrimet e tjera të zhdoganimit. Për prodhimin brenda vendit, ajo lidhet me sasinë e nxjerrë nga njësia e prodhimit dhe raportohet pranë institucionit që administron detyrimin.
Normat për litër, sipas produktit, caktohen në aneksin e ligjit nr. 9975/2008 dhe përditësohen me ligjet vjetore të paketës fiskale.
Për biznesin që mban automjete, detyrimet vijnë në tri momente të ndryshme dhe ngatërrohen shpesh midis tyre.
✔ Në import, taksa e mjeteve të përdorura, e lidhur me karakteristikat e mjetit
✔ Një herë në vit, taksa vjetore e mjeteve, e paguar bashkë me kontrollin teknik
✔ Në qarkullim, taksat mbi karburantin, të përfshira në çmimin e pompës
Taksa vjetore e mjeteve paguhet në sportelet e shërbimit të transportit rrugor, bashkë me kontrollin teknik të mjetit. Pikërisht ky lidhje e bën taksën që harrohet më rrallë, sepse pa pagesën nuk merret certifikata e kontrollit teknik dhe mjeti nuk qarkullon ligjërisht.
Kur mjeti është me qira operative, taksa vjetore mbetet detyrim i pronarit dhe biznesi e ndjek si pjesë të çmimit të qirasë. Kur mjeti është me qira financiare ose me lizing, kontrata përcakton palën që e paguan, prandaj kjo pikë kontrollohet përpara nënshkrimit.
Lexo edhe: Cilat taksa paguhen në bashki dhe si llogaritet taksa e pronës.
Taksa mbi ambalazhet zbatohet mbi materialet e paketimit, si taksë kombëtare sipas ligjit nr. 9975/2008. Ajo lidhet me materialin dhe me sasinë e ambalazhit që hyn në qarkullim, jo me vlerën e produktit brenda.
Preken importuesi dhe prodhuesi i produktit të paketuar, sepse ambalazhi hyn në treg përmes tyre. Tregtari që merr produkt të paketuar dhe e shet më tej nuk e ka këtë detyrim, edhe kur ambalazhi kalon fizikisht nëpër magazinën e vet.
Në praktikën tonë, kjo taksë harrohet nga bizneset e prodhimit ushqimor dhe të pijeve që kalojnë nga tregtia në prodhim. Me rolin e prodhuesit lind një detyrim i cili si tregtar nuk ekzistonte, dhe kalimi ndodh shpesh pa u shoqëruar me rishikim të listës së taksave.
| Taksa | Ku paguhet | Shfaqet në e-Filing |
|---|---|---|
| Taksat mbi karburantet, në import | Në procedurën doganore | Nuk shfaqet |
| Taksa e mjeteve të përdorura | Në zhdoganim | Nuk shfaqet |
| Taksa vjetore e mjeteve | Në sportelet e transportit rrugor | Nuk shfaqet |
| Taksa mbi ambalazhet | Sipas aktit zbatues, në import ose në prodhim | Duhet verifikuar |
| Taksa e aktit dhe pullat | Në sportelin e shërbimit ose te noteri | Nuk shfaqet |
Kolona e djathtë shpjegon një pjesë të mirë të problemeve. Gjendja e detyrimeve në e-Filing nuk mbulon detyrimet doganore, prandaj një detyrim i hapur në doganë mbetet i pavërejtur derisa bllokohet një zhdoganim i mëpasëm.
Taksat kombëtare njihen si shpenzim kur plotësojnë rregullin e përgjithshëm të nenit 48 të ligjit nr. 29/2023, pra kur kryhen në interes të veprimtarisë ekonomike dhe dokumentohen. Pyetja e vërtetë nuk është nëse njihen, por në cilin zë dhe në cilin vit.
Taksa vjetore e mjeteve është shpenzim i periudhës në të cilën paguhet dhe nuk shtohet mbi vlerën e mjetit. Në të njëjtën logjikë trajtohen taksa e aktit, pullat dhe taksat e vogla administrative, që hyjnë në shpenzimet operative të vitit.
Taksat që paguhen në import mbi mallin, përfshirë taksat mbi ambalazhin e produktit të importuar, hyjnë në kostot e blerjes dhe qëndrojnë në inventar derisa malli shitet. Nëse ato kalojnë drejt në shpenzime, marzhi i periudhës del i shtrembëruar dhe inventari del i nënvlerësuar.
Taksat mbi karburantin nuk njihen veçmas, sepse nuk faturohen veçmas. Ato njihen brenda kostos së karburantit, dhe kushti i vetëm praktik është fatura e fiskalizuar në emër të biznesit, bashkë me lidhjen e konsumit me veprimtarinë.
Gjobat dhe kamatat për pagesë të vonuar të një takse nuk njihen si shpenzim i zbritshëm, sepse nuk kryhen në interes të veprimtarisë. Kjo është arsyeja pse një detyrim i vogël i harruar kushton dyfish, një herë si pagesë dhe një herë si shpenzim që nuk zbritet.
Lexo edhe: Cilat shpenzime njihen dhe cilat nuk njihen.
Këto taksa nuk kanë kalendar mujor të përbashkët, prandaj mbahen rregull me një listë të thjeshtë, të rishikuar një herë në vit.
✔ Përcaktoni cilat nga këto taksa ju prekin realisht, sipas veprimtarisë dhe sipas rolit
✔ Shënoni për secilën institucionin që e administron, sepse afatet dhe sistemet ndryshojnë
✔ Kontrolloni gjendjen doganore kur importoni, jo vetëm gjendjen tatimore në e-Filing
✔ Rishikoni listën kur ndryshon veprimtaria, sepse kalimi nga tregti në prodhim krijon detyrime të reja
✔ Rishikoni normat pas çdo pakete fiskale, sepse aneksi i ligjit nr. 9975/2008 preket shpesh
Biznesi kalon nga tregti në prodhim ose import dhe nuk rishikon listën e taksave që i takojnë.
Taksa vjetore e mjeteve kapitalizohet mbi vlerën e mjetit, ndërsa është shpenzim i periudhës.
Taksat e paguara në import mbi mallin kalojnë drejt në shpenzime dhe nuk hyjnë në kostot e inventarit.
Taksa e ambalazhit nuk deklarohet, sepse mendohet si detyrim vetëm i prodhuesve të mëdhenj.
Detyrimet doganore kërkohen në e-Filing, ku nuk shfaqen, dhe konstatohen kur bllokohet një zhdoganim.
Në kontratat e qirasë së mjeteve nuk përcaktohet pala që paguan taksën vjetore.
Normat merren nga faqe të vjetra në internet, ndërsa aneksi i ligjit ka ndryshuar me paketën fiskale.
Gjoba për pagesë të vonuar regjistrohet si shpenzim i zbritshëm dhe rrit bazën e rregullimeve në fund të vitit.
Taksa e qarkullimit dhe e karbonit mbi karburantet, taksat e mjeteve, taksa mbi ambalazhet, taksa mbi primet e sigurimit dhe taksa e aktit me pullat. Cilat zbatohen varet nga veprimtaria dhe nga roli, prodhues, importues apo tregtar.
Importuesi dhe prodhuesi i karburantit, në momentin e vënies në qarkullim. Biznesi konsumator nuk ka deklaratë të veçantë, sepse taksa vjen brenda çmimit të pompës.
Në sportelet e shërbimit të transportit rrugor, bashkë me kontrollin teknik të mjetit.
Po, si shpenzim i periudhës në të cilën paguhet, kur mjeti shërben veprimtarinë e biznesit. Ajo nuk shtohet mbi vlerën e mjetit dhe nuk amortizohet.
Prodhuesi dhe importuesi i produktit të paketuar, jo tregtari që e shet më tej.
Detyrimet që administrohen nga doganat dhe pagesat në sportelet e transportit rrugor nuk shfaqen në e-Filing. Për këtë arsye gjendja doganore kontrollohet veçmas përpara çdo importi.
Ndryshon lista e taksave, sepse me rolin e prodhuesit lindin detyrime që tregtari nuk i ka, tipikisht taksa mbi ambalazhet dhe raportimet e lidhura me sasitë e vëna në qarkullim.
Sepse normat e këtyre taksave qëndrojnë në anekse ligjore që preken pothuajse në çdo paketë fiskale. Rregulli i punës tek AlProfit është që një shifër botohet vetëm pas verifikimit në tekstin zyrtar, me datë, dhe për rastin tuaj konkret shifra në fuqi nxirret dhe dokumentohet.
Ligji Nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, me normat e caktuara në aneksin e ligjit
Udhëzimi i Ministrit të Financave Nr. 26, datë 04.09.2008, dhe Udhëzimi Nr. 22/2015, si akte zbatuese të taksave kombëtare
Ligji Nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, neni 48 për rregullin e përgjithshëm të shpenzimeve të zbritshme dhe neni 50 për shpenzimet që nuk njihen
VKM Nr. 783/2011, identifikuar në regjistrin tonë të akteve për taksën e mjeteve, me status dhe shifra që duhen verifikuar
Ligji Nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, për ndarjen midis nivelit kombëtar dhe atij vendor
AlProfit Consult përcakton cilat taksa kombëtare i takojnë realisht biznesit tuaj, nxjerr normën në fuqi për rastin konkret dhe i regjistron ato në zërin e duhur të kontabilitetit, si pjesë e abonimit mujor.
