TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Ankimimi për pagesën e tatimeve nga individët

Kryefaqe | Legjislacioni tatimor | Individ | Deklarimi dhe pagesa per individët | Ankimimi për pagesën e tatimeve nga individët


Informacioni i mëposhtëm është i vlefshëm dhe zbatohet deri më 31 dhjetor 2023, me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri Nr. 29/2023 për Tatimin mbi të Ardhurat. Shfletoni faqen tonë për më shumë detaje dhe informacione të përditësuara https://alprofitconsult.al/tatime/

Ku mund të ankohemi për veprime të administratës tatimore që i konsiderojmë të padrejta?

Ankimi bëhet vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor e cila që nga 1 Janari vitit 2017, është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave.

Çfarë rregullash ka për të bërë një ankim ?

1. Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga administrata tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit .
2. Të ankohesh brenda 1 muaji nga marrja dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar administrata tatimore.
3. Brenda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit, së bashku me kamatëvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.

Kujdes! Pa këto dokumente, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankohemi?

1. Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar administrata tatimore dhe ju e gjykoni të padrejtë.
2. Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
3. Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
4. Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës.
5.Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
6. Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të administratës tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.

Kujdes! Nuk mund të ankimohen masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore:

a. si urdhër bllokimi i llogarive bankare;
b. njoftim dhe kërkesë për të paguar;
c. njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Cilat dokumente duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin?

1. Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; kodi fiskal i regjistrimit të tatimpaguesit dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
2. Aktin administrativ të nxjerrë nga administrata tatimore.
3. Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatëvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë). Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet së bashku kamatëvonesat.
4. Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
5. Çdo dokument tjetër që që ankimuesi e çmon të rëndësishëm se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?

Ankimi mund të dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes se ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor konsiderohet data e protokollimit për ankimet e dorëzuara dorazi dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentat që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit.

1. Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.
2. Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të administratës tatimore i takon tatimpaguesit.
3. Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.
4. Mbas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishte pa e humbur këtë afat.
Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online