Si llogaritet paga, nga bruto te neto dhe te kostoja e punëdhënësit

Pagat dhe kontributet

Kryefaqe | Legjislacioni tatimor | Pagat dhe kontributet | Si llogaritet paga, nga bruto te neto dhe te kostoja e punëdhënësit

Një pagë ka tre shifra, jo një. Paga bruto është ajo për të cilën bihet dakord, paga neto është ajo që punonjësi merr në dorë, dhe kostoja e punëdhënësit është shuma që del vërtet nga biznesi. Për një pagë bruto 80,000 lekë, neto është 64,540 lekë dhe kostoja është 93,360 lekë.

Kjo faqe tregon llogaritjen hap pas hapi, jep tabelat e gatshme për pagat më të përdorura, shpjegon formulën e kthimit nga neto te bruto dhe pikat ku llogaritja ndryshon, si tavani i sigurimeve dhe bonuset e muajit.

Lexo edhe: Normat e tatimit mbi pagën dhe zbritjet që ulin bazën.

Tre shifrat që duhen ndarë

ShifraÇfarë ështëKush e shikon
Paga brutoBaza e llogaritjes, mbi të cilën matet çdo mbajtjeKontrata dhe listëpagesa
Paga netoBruto minus tatimi mbi pagën dhe kontributi i punëmarrësitPunonjësi
Kostoja e punëdhënësitBruto plus kontributi i punëdhënësitBiznesi

Ngatërrimi më i shpeshtë ndodh kur paga bihet dakord si neto. Punonjësi ka në mendje shifrën e tretë të tabelës, biznesi shifrën e parë, dhe diferenca mes tyre shkon deri në 48% të pagës neto.

Hapi 1. Baza e llogaritjes

Baza është paga bruto e muajit, përfshirë shpërblimet, shtesat dhe përfitimet në natyrë të vlerësuara me vlerë tregu. Të gjitha mbajtjet nisin nga kjo shifër e vetme.

Për kontratat normale, pra mbi 87 orë pune në muaj, baza e kontributeve nuk zbret nën pagën minimale prej 50,000 lekësh. Për sigurimet shoqërore, baza nuk kalon tavanin prej 186,416 lekësh, ndërsa sigurimi shëndetësor nuk ka tavan.

Lexo edhe: Paga minimale 50,000 lekë nga 1 janari 2026.

Hapi 2. Kontributi i punëmarrësit

Kontributi i punëmarrësit është 11.2% e pagës bruto, i përbërë nga 9.5% sigurime shoqërore dhe 1.7% sigurim shëndetësor. Mbahet nga paga dhe nuk është kosto shtesë për biznesin.

Pagë 80,000 lekë. Kontributi i punëmarrësit është 80,000 x 11.2% = 8,960 lekë. Nga këto, 7,600 lekë janë sigurime shoqërore dhe 1,360 lekë sigurim shëndetësor.

Hapi 3. Tatimi mbi pagën

Tatimi llogaritet mbi të njëjtën pagë bruto, pa zbritur kontributin e punëmarrësit. Baza vjetore e tatueshme është paga bruto vjetore minus zbritja e njohur, dhe mbi të zbatohen 13% deri në 2,040,000 lekë dhe 23% mbi tepricën.

Për pagat mbi 60,000 lekë në muaj, zbritja vjetore prej 360,000 lekësh bie 30,000 lekë në muaj. Prandaj tatimi mujor llogaritet si 13% e diferencës mes pagës bruto dhe 30,000 lekëve, derisa baza vjetore arrin 2,040,000 lekë.

Pagë 80,000 lekë. Në vit bëhen 960,000 lekë. Minus zbritja 360,000 lekë, baza e tatueshme është 600,000 lekë. Tatimi 13% jep 78,000 lekë në vit, pra 6,500 lekë në muaj. E njëjta shifër del edhe nga llogaritja mujore, ku 80,000 minus 30,000 barazon 50,000, dhe 13% jep 6,500 lekë.

Hapi 4. Paga neto

Paga neto është paga bruto minus tatimi dhe minus kontributi i punëmarrësit. Të dyja mbajtjet janë të pavarura nga njëra-tjetra.

Pagë 80,000 lekë. Neto, pra 80,000 minus 6,500 minus 8,960, barazon 64,540 lekë. Punonjësi merr 80.7% të pagës bruto.

Hapi 5. Kontributi i punëdhënësit dhe kostoja

Punëdhënësi paguan 16.7% mbi pagën bruto, i përbërë nga 15.0% sigurime shoqërore dhe 1.7% sigurim shëndetësor. Kjo shumë nuk mbahet nga paga, por shtohet mbi të.

CITAT
Pagë 80,000 lekë. Kontributi i punëdhënësit është 80,000 x 16.7% = 13,360 lekë. Kostoja e plotë, pra 80,000 plus 13,360, barazon 93,360 lekë. Punonjësi merr 64,540 lekë, pra 69.1% e kostos, dhe 28,820 lekë shkojnë te tatimi dhe sigurimet.

Lexo edhe: Normat e kontributeve, minimalja dhe tavani.

Tabela nga bruto te neto

Paga brutoTatimi mbi pagënKontributi 11.2%Paga neto
50,000 lekë0 lekë5,600 lekë44,400 lekë
60,000 lekë3,250 lekë6,720 lekë50,030 lekë
80,000 lekë6,500 lekë8,960 lekë64,540 lekë
100,000 lekë9,100 lekë11,200 lekë79,700 lekë
120,000 lekë11,700 lekë13,440 lekë94,860 lekë
150,000 lekë15,600 lekë16,800 lekë117,600 lekë
200,000 lekë22,100 lekë21,110 lekë156,790 lekë
250,000 lekë33,600 lekë21,960 lekë194,440 lekë

Në dy rreshtat e fundit kontributi nuk rritet në përpjesëtim me pagën, sepse sigurimet shoqërore ndalojnë te tavani prej 186,416 lekësh dhe vetëm sigurimi shëndetësor prej 1.7% vazhdon mbi tepricën.

Akseso: Kalkulatorin e pagës.

Tabela e kostos së punëdhënësit

Paga brutoKontributi 16.7%Kostoja totaleNeto ndaj kostos
50,000 lekë8,350 lekë58,350 lekë76.1%
60,000 lekë10,020 lekë70,020 lekë71.5%
80,000 lekë13,360 lekë93,360 lekë69.1%
100,000 lekë16,700 lekë116,700 lekë68.3%
120,000 lekë20,040 lekë140,040 lekë67.7%
150,000 lekë25,050 lekë175,050 lekë67.2%
200,000 lekë31,362 lekë231,362 lekë67.8%
250,000 lekë32,212 lekë282,212 lekë68.9%

Kolona e fundit tregon sa nga çdo lek i shpenzuar për punësim arrin te punonjësi. Ajo bie ndërsa paga rritet, sepse zbritja tatimore mbetet e njëjtë, dhe pastaj kthehet lart mbi tavanin e sigurimeve.

Lexo edhe: Kompensimi i kontributeve nga rritja e pagës minimale.

Nga neto te bruto

Kur paga bihet dakord si neto, bruto nxirret duke kthyer llogaritjen. Për pagat mbi 60,000 lekë bruto dhe nën tavanin e sigurimeve, formula është e drejtpërdrejtë.

Neto = bruto minus 11.2% e bruto minus 13% e diferencës mes bruto dhe 30,000 lekëve. Pra neto = 0.758 x bruto plus 3,900. Nga këtu del bruto = (neto minus 3,900) pjesë 0.758.

Neto e kërkuar 100,000 lekë. Bruto = (100,000 minus 3,900) pjesë 0.758 = 96,100 pjesë 0.758 = 126,781 lekë. Për kontroll, kontributi 126,781 x 11.2% = 14,199 lekë; tatimi 13% x (126,781 minus 30,000) = 12,582 lekë; neto = 126,781 minus 14,199 minus 12,582 = 100,000 lekë. Kostoja e punëdhënësit është 126,781 x 1.167 = 147,953 lekë.

Për një pagë neto 100,000 lekë, biznesi shpenzon 147,953 lekë. Ky është numri që duhet të hyjë në buxhet, jo 100,000 lekë.

Formula nuk vlen për pagat nën 60,000 lekë bruto, sepse atje zbatohen zbritje të tjera, dhe nuk vlen mbi tavanin e sigurimeve, sepse kontributi shoqëror ndalon rritjen. Në këto dy zona llogaritja bëhet me hapa.

Rastet ku llogaritja ndryshon

✔ Bonusi ose shpërblimi i një muaji rrit bazën e atij muaji dhe mund të kalojë tavanin e sigurimeve
✔ Kontrata nën 87 orë në muaj ka norma kontributi më të ulëta, pra neto dhe kosto të tjera
✔ Punonjësi me dy punëdhënës ka mbajtje më të vogël sesa detyrimi vjetor, dhe diferenca rregullohet me deklaratën individuale
✔ Zbritja për fëmijë dhe për arsim ul tatimin mujor, kur kërkohet te punëdhënësi
✔ Paga që ndryshon në mes të vitit e ndryshon rezultatin vjetor ndaj llogaritjes mujore
✔ Punonjësi që nis ose largohet në mes të muajit ka bazë vetëm për ditët e marrëdhënies

Pagë 80,000 lekë dhe dy fëmijë nën 18 vjeç, me zbritje të kërkuar te punëdhënësi. Zbritja bëhet 360,000 plus 96,000, pra 456,000 lekë. Baza e tatueshme bie në 504,000 lekë, tatimi vjetor në 65,520 lekë, tatimi mujor në 5,460 lekë, dhe paga neto rritet nga 64,540 në 65,580 lekë.

Lexo edhe: Kontratat e shkurtra, ortaku administrator, praktikantët dhe dypunësimi.

Gabimet që shohim

  • Paga bihet dakord si neto pa llogaritur bruton, dhe kostoja reale del rreth 48% mbi shifrën e premtuar.
  • Kontributi i punëmarrësit trajtohet si kosto e biznesit, ndërsa ai mbahet nga paga.
  • Tatimi llogaritet mbi pagën pas kontributeve, dhe rezultati del më i vogël sesa duhet.
  • Kostoja e punësimit planifikohet mbi bruton, pa shtuar 16.7% e punëdhënësit.
  • Tavani i sigurimeve harrohet, dhe pagat e larta deklarohen me kontribut më të lartë sesa detyrimi.
  • Bonusi i fundvitit nuk përfshihet në bazën e muajit, dhe krijon fshehje page.
  • Zbritja për fëmijë nuk kërkohet, dhe punonjësi merr më pak neto pa arsye.
  • Llogaritja e vitit të kaluar përdoret në vitin e re, pa përditësuar pagën minimale dhe tavanin.

Pyetjet më të shpeshta

Sa është paga neto për 80,000 lekë bruto?

64,540 lekë. Mbahen 6,500 lekë tatim dhe 8,960 lekë kontribut i punëmarrësit.

Sa më kushton një punonjës me pagë bruto 80,000 lekë?

93,360 lekë në muaj, pra paga bruto plus 16.7% kontribut i punëdhënësit. Në vit bëhen 1,120,320 lekë.

Bëra marrëveshje për 100,000 lekë neto. Sa është bruto?

126,781 lekë bruto, dhe kostoja e plotë 147,953 lekë. Në praktikë kontrata shkruhet me një shifër të rrumbullakuar, si 126,800 lekë, dhe neto del pak mbi 100,000 lekë.

Pse punonjësi me pagë të lartë paguan përqindje më të vogël kontributi?

Sepse sigurimet shoqërore kanë tavan prej 186,416 lekësh në muaj. Mbi këtë shifër vazhdon vetëm sigurimi shëndetësor prej 1.7%.

Paga minimale sa neto jep?

44,400 lekë. Tatimi është zero, dhe mbahet vetëm kontributi prej 5,600 lekësh.

A hyn bonusi në llogaritjen e pagës?

Po. Bonusi hyn në bazën e muajit kur paguhet, dhe mbi të llogaritet edhe tatimi edhe kontributi.

Punonjësi nisi punë më datën 15. Si llogaritet paga e muajit të parë?

Baza është paga e ditëve të marrëdhënies së punës, dhe mbi të llogariten tatimi dhe kontributet. Ditët e sigurimit deklarohen sipas datës së nisjes.

A ka kalkulator online në faqe?

Po. Në këtë link aksesoni kalkulatorin e pagës.

Llogaritja e sistemit nuk përputhet me llogaritjen tonë. Ku është gabimi?

Në pjesën dërrmuese të rasteve arsyeja është një nga tre, pra orët e kontratës, tavani i sigurimeve, ose zbritjet e kërkuara nga punonjësi. Kontrolli nis nga këto tre.

Baza ligjore

  • Ligji Nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar: neni 10 për bazën dhe përfitimet në natyrë, neni 22 për zbritjet, neni 23 për kërkesën e zbritjeve, neni 24 pika 1 për normat 13% dhe 23%, neni 65 për listëpagesën
  • Ligji Nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar, nenet 10 dhe 14, dhe Ligji Nr. 10383, datë 24.02.2011, i ndryshuar, nenet 7 dhe 8
  • Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 77, datë 28.01.2015, i ndryshuar, për normat dhe bazën maksimale, dhe VKM Nr. 776/2025 për pagën minimale prej 50,000 lekësh
  • Udhëzimi i përgjithshëm Nr. 26, datë 08.09.2023, i ndryshuar me Udhëzimin Nr. 9, datë 12.03.2026
  • Teksti i konsoliduar i ligjit nr. 29/2023.

AlProfit Consult llogarit pagat e ekipit tuaj çdo muaj, jep kostot reale përpara se të firmosni kontratën dhe mban listëpagesën në afat, si pjesë e abonimit mujor.

SHIKO ÇMIMET

GDPR